Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla ka firmosur urdhërin për krijimin e strukturës së posaçme për verifikimin e integritetit të zyrtarëve publikë në zbatim të ligjit të dekriminalizimit.
Ai ka urdhëruar krijimin e sektorit të verifikimit të Integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike. Kjo strukturë do përbëhet nga 2 prokurorë, 3 oficerë të policisë gjyqësore dhe një specialist i Teknologjisë së Informacionit.
Gjithashtu Kryeprokurori ka urdhëruar krijimin e regjistrit për regjistrimin e kërkesave për verifikim dhe krijimin e regjistrit për regjistrimin e formularëve të vetëdeklarimit.Do të krijohet një sistem elektronik për ruajtjen dhe dokumentimin e kërkesave për verifikim, të dhënave, akteve apo fakteve të administruara.
Në Urdhërin e Prokurorit të Përgjithshëm përcaktohen edhe detyrimet e punonjësve që do të jenë pjesë e Sektorit të Verifikimit.
Po ashtu, çdo person që hyn, transmeton, përdor ose përpunon të dhënat e sistemit elektronik në kundërshtim me rregullat teknike dhe legjislacionin në fuqi, ngarkohet sipas rastit me përgjegjësi administrative ose penale./tvklan.al