Për shumëkënd, pas pjesëmarrjes në Europian, aq më tepër për herë të parë, pushimet do të ishin plani i menjëhershëm, por për trajnerin e kombëtares Xhani De Biazi nuk ka qenë kështu. Në një intervistë të dhënë për gazetën “Panorama Sport”, trajneri shpjegon arsyen pse nuk ka nisur ende pushimet dhe vijon me të dhënat rreth kuqezinjve për edicionin e ri.
Në fjalët e tij, De Biazi konfirmon lajmin e gazetës të pak ditëve më parë për një futbollist të Kombëtares që do të braktisë kuqezinjtë, ndërkohë që përgjigjet edhe në lidhje me deklaratat e trajnerit Bunjaki. Italiani flet për lakimin e emrit të tij në të tjera Kombëtare, ndërkohë që për herë të parë flet qartë për të ardhmen e tij në lidhje me Shqipërinë. Ka një këshillë për Etrit Berishën, ndërkohë që për kualifikueset e radhës për Botërorin “Rusi 2018” shton: “Spanja e Italia mbeten pa dyshim favoritët, por e ardhmja jonë lidhet me faktin se sa eksperiencë kemi fituar nga Europiani, por nuk duhet të mendojmë se kjo gjë na bën fenomenë. Kam një kontratë me Shqipërinë deri në tetor 2018 dhe ai që largohet nga Shqipëria do të thotë që nuk beson se mund të ndihmojë në arritjen e objektivave që ne kemi për të shkuar në Rusi”, shprehet ndër të tjera tekniku italian për “Panorama Sport”.
Pas pjesëmarrjes për herë të parë në Europian, kanë ndryshuar edhe pushimet tuaja për këtë verë?
Hera e parë në Europian është diçka emocionuese dhe pozitive për të gjithë. Eksperiencë që do të mbetet për këdo nga ne pozitive dhe shumë e pasur. Besoj që ka qenë një gjë e mirë për të gjithë skuadrën dhe tifozët tanë. Sa u përket pushimeve, jam disi me vonesë sepse kam pasur një problem të vogël me një pjesëtar të familjes sime. Megjithatë, asgjë shqetësuese dhe besoj në fundjavë do të nisemi për pushime. Më në fund (qesh).
Ka disa lojtarë të Kombëtares që kanë ndryshuar skuadër deri tani si për shembull Ajeti, Aliji e Manaj. Si i vlerësoni transferimet e tyre?
Besoj që ndryshimi për të tre lojtarët është diçka e rëndë sishme. Për Ajetin, transferimi te Torino do të jetë një mundësi e madhe për të, pasi është një ekip me nivel tjetër nga ai i Frozinones me të cilën ishte një vit më parë. Besoj që kjo eksperiencë do t’i shërbejë për t’u përmirësuar dhe formuar akoma më shumë. Për Alijin uroj të ketë mundësinë që të luajë në vazhdimësi, siç ka bërë te Bazeli. Do të jetë një mundësi e mirë, të cilën besoj që me cilësitë që ka nuk do ta shpërdorojë dhe do ta përballojë me sukses. Për Manajn mund të them që në sezonin e shkuar ka paguar faktin që nuk ka luajtur në vazhdimësi me Interin. Uroj që ky ndryshim i skuadrës t’i japë më shumë vazhdimësi në fushë që do ta ndihmojë në procesin e maturimit si futbollist.
Çfarë këshille keni për Sadikun?
Uroj që të ketë një transferim të rëndësishëm te një ekip i madh. Besoj që ai e ka treguar se ka arritur të bëjë gjëra mjaft të mira dhe kjo tregohet edhe nga fakti që tashmë për të ka një interesim ndryshe në merkato. Vitin e shkuar ishte pjesë e Vaduzit, në një ekip që ndihmoi për ta shpëtuar nga rënia në kategorinë inferiore. Për të flasin rezultatet dhe në periudhën e fundit me Kombëtaren para Francës ka shënuar pothuajse në çdo ndeshje, që e bënë të ishte titullar në tri ndeshjet në Europian. As Lenjani nuk ka vendosur për të ardhmen, ndërkohë që Rene nuk kërkon ta mbajë në ekip… Uroj që të gjejë një skuadër që e do dhe që do t’i japë mundësinë të ketë vazhdimësi e të luajë rregullisht, pasi për ne është një lojtar tek i cili kemi shumë besim. Një lojtar i së ardhmes dhe që sa herë e kemi thërritur, ka dhënë kontribut pozitiv për Kombëtaren Berisha luan gjithmonë në muajin shtator dhe janar vetëm për të dhënë garancinë e titullarit para merkatos e më pas luan Marketi… Sipas meje, Berisha duhet të vlerësojë me kujdes interesimin e skuadrave të tjera. Lacio ka të drejtën që të vendosë për të, pasi është lojtar nën kontratë. Duhet të jetë Etriti që të vendosë se çfarë do të bëjë. Uroj që këtë sezon të ketë mundësinë të luajë më shumë, te Lacio apo edhe në ndonjë ekip tjetër, pasi për një portier është shumë e rëndësishme që të ketë minuta dhe vazhdimësi që t’i japin mundësinë të rritet akoma dhe të qëndrojë në formë. Emri juaj është lakuar për të marrë drejtimin e shumë kombëtareve të tjera.
Një situatë e sikletshme për ju?
Për fat të keq, nuk varet nga unë nëse emri im qarkullon nëpër media. Shumë njerëz e kanë përfshirë emrin tim në situata të ndryshme dhe unë nuk mund të ndërhyj. Ju shkruani dhe unë ndjek me shpresën që
nuk do të më prishin punë. E kam me të gjithë mediat nëpër botë, jo me ju personalisht. A keni pasur kontakte drejtpërdrejtë me ndonjë Kombëtare? Nuk kam pasur kontakte me asnjë kombëtare dhe nuk kam thënë kurrë asgjë. I jam përgjigjur vetëm një pyetje që më është bërë nëse do mundesha të stërvitja Anglinë, për të cilën jam shprehur: “Mbase po. Do të ishte një nder”. E kam thënë si shpresë dhe mundësi që mund të realizohet në të ardhmen dhe jo si kusht që do realizohet menjëherë.
Sa mund të ndryshojë Kombëtarja për kualifikueset e radhës?
Lojtarët me të cilët ishim në Europian janë akoma të vlefshëm, pasi kemi një Kombëtare relativisht të re. Do të kemi mundësi që të afrojmë edhe ndonjë element të ri. Megjithatë, për fat të keq, do të jetë një dyvjeçar i vështirë për ne. Kjo, pasi është gjithmonë shumë e vështirë të përsërisësh e aq më tepër në një grup të tillë me Spanjën e Italinë që janë sigurisht dy ekipet favorite.
Cilin vlerësoni si ekipin që do të renditet i pari mes tyre dhe si e parashikoni Shqipërinë në këto eliminatore?
Është shumë e vështirë që ta thuash sot se kush do ta fitojë grupin. Është edhe herët për ta thënë diçka të tillë, pasi momentalisht nuk dihet ende se cili do të jetë trajneri i Spanjës. Do të jenë dy kundërshtarë të vështirë, por që mes tyre kanë edhe një histori rivaliteti. Për ne do të jetë e rëndësishme se çfarë do të bëjmë. Do të jetë i rëndësishëm fakti se sa eksperiencë kemi fituar në Europian dhe se si do të sillemi në këto ndeshje. Nuk mund të mendojmë që jemi fenomenë pasi ishim në Francë. Duhet të dimë që jemi një Kombëtare e vogël dhe që na duhet të punojmë fort e të tregojmë sa më shumë në fushën e lojës për të arritur diçka. Bunjaki ka deklaruar se dy lojtarë të Shqipërisë do t’i bashkohen Kosovës… Nuk di si të komentoj ato që ka thënë Bunjaki. Nëse e thotë këtë, është sepse mbase ka folur me ndonjë nga lojtarët. Mes atyre që kanë qenë në Francë dhe atyre të katërve që kanë qenë në Austri, vetëm njëri është që do të kalojë në anën tjetër. Nëse ai thotë dy, mbase është edhe më i informuar më mirë se unë. Kush do të qëndrojë te Shqipëria, është sepse ka zgjedhur ngjyrat tona dhe i bindur që është një lojtar që mund të të ndihmojë për të realizuar objektivat që kemi për të arritur në “Rusi 2018”.
A i keni diskutuar detajet e kontratës suaj në lidhje me rinovimin automatik?
Kontrata ime është diskutuar kur ishte momenti për të rinovuar. Skadon në tetor 2017 dhe do të shohim se çfarë do të bëjmë, nëse do ta zgjasim më tej apo jo.
Ftesa për Canën
Trajneri i Kombëtares ka edhe një mendim e vlerësim në lidhje me Lorik Canën. Xhani De Biazi tregon për “Panorama Sport” vlerësimin që ka për kapitenin e Kombëtares dhe e tregon hapur se do ta mirëpresë vendimin e tij, çfarëdo që të vendosë. “Loriku është kapiteni dhe profesionisti më i mirë që mendon se përpara së gjithash vlen skuadra dhe jo ai vetë. Ky ishte edhe leksioni më i madh që dha edhe në ndeshjen kundër Rumanisë kur mbeti jashtë. Në futboll mund të bëjë gjithçka sepse ka një eksperiencë të madhe. Me ne mund të bëjë çfarëdolloj gjëje që ka dëshirë të bëjë. Do ta vendosë vetëm ai, sepse është i maturuar, inteligjent dhe një lojtar që kam vlerësimin maksimal dhe gjithashtu besim. Nëse do të vijë me mua, mund ta bëjë dhe të më japë një dorë me eksperiencën që ka si në fushë, apo edhe në pankinë”, ka deklaruar trajneri në lidhje me të ardhmen e kapitenit Cana./Panorama Sport