Gianni de Biasi, trajneri i Kombëtares shqiptare, ka parashikuar ndeshjen mes Spanjës dhe Italisë, e cila luhet nga ora 18:00. Ai beson se Azzurrët mund ta mposhtin ‘La Rojan’ dhe të kualifikohet në çerekfinale të Euro 2016.
“Kam shumë besim, nëse Italia luan si në dy ndeshjet e para, ekziston plotësisht mundësia që të kualifikohen tutje. Conte do të përgatitë shumë mirë ndeshjen dhe pas të gjitha zhgënjimeve që kemi pësuar përballë Spanjës në vitet e fundit, mund të jetë ndeshja e duhur për të marrë revanshin. Ne kemi një mbrojtje shumë të fortë të bazuar te blloku Juventus, pësojmë shumë pak gola dhe dimë të ndërtojmë lojë, sidomos në krahë, të cilët ulen dhe ngrihen duke krijuar superioritet numerik”, ka deklaruar De Biasi.
“Spanja është e fortë, nuk është se e zbuluam sot, por nuk është e pakalueshme, siç e tregoi Kroacia. Ndaj ta luajmë pa frikë, të bindur se rezultati mund të arrijë. Padyshim që do të bëj tifo për Italinë dhe do të jem para televizorit. Një “Forza Azzurri” në këtë moment është minimumi i mundshëm”, tha De Biasi për mediat italiane.