Ka dyshime, që Cristiano Ronaldo nuk do të jetë pjesë e finales së topit të artë. Ai është vënë në qendër të vëmendjes së mediave, për paraqitjen e dobët dhe humbjen e realit në ndeshjen me Sevillan.
E përditshmja “Marca” vendosi një foto të portugezit ku dukej i dorëzuar, nën titullin “ishte e pritshme”, para se të nënvizonte faktin që kjo ishte humbja e parë e Rafa Benitezit si trajner i “Los Blancos”.
“Pas shumë paralajmërimesh në ndeshjet ndaj Atleticos dhe PSG-së, Sevilla arriti të përmbyste disavantazhin fillestar ndaj një Reali të paorganizuar. Një tjetër paraqitje anonime e Cristiano Ronaldos”.
Për Ronaldon kjo ishte paraqitja e tij e dytë radhazi ku nuk la shenjë, pasi nuk arriti të gjente rrugën e rrjetës as ndaj PSG-së në mesjavë. Teksa e përditshmja “AS” kritikoi Realin për disfatën e papritur, mbrojtësi Sergio Ramos pranoi: “Nuk luajtëm mirë dhe kjo u reflektua edhe në rezultat. Ishim më tepër statikë se ç’duhej”.
Nëse Ronaldo do të jetë një ndër tre kandidatët për fitimin e “Topit të Artë”, atëherë shumë njerëz kanë të drejtën të dinë arsyen pse. /lapsi.al