Te Fundit

Covid 19, pushton frikshëm Nju-Jorkun….


               Publikuar në : 09:48 - 25/03/20 |
el ida

Nga Kozeta Turishta-

Pandemia e paprecedentë ‘COVID 19’ ka futur thellë nën kthetrat e saj dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Janë rreth 50,000 raste të infektuar nga ky virus duke bërë që Amerika të renditet vendi i tretë në botë pas Kinës dhe Italisë.

Në një konferencë për shtyp të martën mbrëma, Ekspertët e Grupit të Punës së Shtëpisë së Bardhë kanë lajmëruar qytetarët amerikanë të respektojnë të gjithë rregullat pasi situata paraqitet mjaft shqetësuese sidomos në shtetin e Nju-Jorkut ku janë 56% të të gjitha rasteve në Shba, 60% të të gjitha rasteve të reja janë në territorin e Nju Jorkut, mbi 30% e viktimave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë nga NY dhe rrethinat e saj.

“Të gjithë ato që hynë në shtetin e Nju-Jorkut duhet të vetizolohen” ka bërë të ditur, Dr. Anthony Fauci drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjive dhe Sëmundjeve Infektive, herë pas here në daljet e tij publike ka deklaruar se situata është tejet serioze dhe kërkon vetizolim total për këdo që shkon në NY, me ose pa virus, karantimi është i detyrueshëm.

Presidenti i Shteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka habitur disi me deklaratën e tij të fundit po të martën mbrëma duke shpresuar që Amerika do i kthehet jetës normale deri më 12 Prill të dielën e Pashkëve të ardhshme, i cili ka shprehur se do ishte një gjë e mrekullueshme që Kishat të mbusheshin plotë më njerëz për të festuar, gjë e cila nuk është pritur mirë nga demokratët, e shumë zyrtarë apo qytetare të thjesht pasi duket të jetë e pamundur të ndodhi kaq shpejt ku momentalisht Amerika është në zonë të kuqe me rrezikun më të lartë ndaj kësaj lufte të ashpër.

Ka reaguar menjëherë dhe demokrati, rivali i tij, Joe Biden, i cili ka thënë se kjo që parashikon Presidenti Trump është e pabesueshme, dhe nuk mund të ndodhi kurrë, a është në terezi ai apo flet përçart ” thotë Biden.
Njujorkezet po e përjetojnë tepër me frikë këtë virus, madje ato e quajnë dramen më të madhe që pas Sulmeve Terroriste të 11 Shtatorit 2011.

Çdo gjë është e mbyllur , që nga Restorantet, parqet, muzetë, kinematë, shkollat, çdo ambient që ka propabilitet grupimin e njerëzve është nën masa të rrepta e të mbyllura dhe deri më tani shumica e qytetarëve respektojnë udhëzimet që dalin qoftë nga Qeveria, apo Autoritetet e Shëndetësisë.

Pandemia COVID 19, ka prekur ndjeshëm bizneset, e jo vetem. Njerëzit më së shumti punojnë nga shtëpitë e tyre, në mënyrë për të ulur mundësinë e infektimit tek të tjerët, pasi distancimi social ka rezultuar funksional dhe shpresoj të gjithë t’a marrin sa më seriozisht në këto ditë të vështira për njeri tjetrin. Guvernatori i Shtetit të NY Andrew Cuomo, ka lejuar vetëm dyqanet esenciale të jenë hapur si Marketet Ushqimore, Farmacitë, Mjetet e Transportit Publik, ndërsa shkollat dhe Universitetet janë mbyllur jo vetëm në NY por në mbarë Amerikën.

Nga pasqyrimi i mediave, qytetarët e Nju-Jorkut shprehin frikë, dhe janë tejet të shqetësuar pasi janë një numër i madh punonjësish që kanë humbur vendet e tyre të punëve, por sërish nuk e humbin besimin dhe shpresën tek qeverisja qoftë federale apo ajo e shtetit si në rastin e NY, me Guvernatorin Cuomo, i cili pa asnjë diskutim ka fituar përjetësisht zemrat e qytetarëve të tij me gadishmërinë që tregon në 24 orë në 24, i cili thotë se do të kthej çdo gjë përmbys nëse do jetë e nevojshme për të siguruar numrin e duhur të shtretërve dhe të gjitha paisjeve të tjera që nevojiten në këto momente , dhe deklaron se është në bisedime e sipër me investitorët e Hotelerive për t’i kthyer në spitale.

Coumo, po i ndjek rastet nga afër, duke i qëndruar pranë qytetarëve të tij, por gjithmonë kërkon të kemi durim në këto muaj të vështirë për vendin tonë, ku deri më tani janë mbi 25 mijë raste të konfirmuar nga COVID 19. Nju-Jorku zyrtarisht shpallet vendi më numrin më të lartë në Amerikë, siç ka thënë dhe vetë Coumo : Po dyfishohet çdo tre ditë më shumë.

Ky virus po ecen me shpejtësi të lartë , tashmë të prekur jo vetëm moshat e treta,- dje, në Nju-Xhersi kemi rastin e parë të një djali 25 vjeç i cili po lufton për jetën në Reanimacion , rast tepër kritik i prekur nga COVID 19, rasti në fjalë siç ka deklaruar dhe nëna e pacientit nuk përbën asnjë kusht problematik shëndetësor, përkundrazi ka qënë tepër i shëndetshëm, fizik sportisti, dhe nuk ka ankuar as vuajtur kurrë nga asnjë sëmundje e mëparshme. Ndërkohë po në Nju jork, kemi dhe raste të tjera të moshave mbi 40 vjeç të prekur nga ky armik i përbashkët që nuk njeh as të rinj e as të moshuar as të pasur e as të varfër, e përpara tij janë të gjithë të barabartë ku gjithsecili lufton me të për të fituar betejën me vdekjen.

Unë personalisht jam e vetizoluar prej ditësh në shtëpi, është një përjetim ndryshe nga çdo lloj përjetimi qoftë emocional apo psikologjik, teksa sheh e gjithë botën të kapluar frikshëm nga babëzia e këtij virusi vdekje – prurës , ku nëpërmjet medias informohemi dhe më ndjell kaq shumë trishtim të shohësh jetë njerëzish të ikin nga kjo botë të pafajshëm, si në rastin e Italisë, është kohë Zie për gjithë ne të prekur apo jo nga ky Virus, sepse në këtë luftë jemi të gjithë bashkë e kështu sëbashku nëse qëndrojmë të fortë dhe pse është tepër e vështirë por vetëm me njeri- tjetrin e me shpresë dhe lutjet tona mund të ndryshojmë situatën.

Ka qënë një tronditje e madhe , saqë më duket sikur jam brenda ndonjë skene të filmave të frikshëm, por realisht po jetojmë një dekade ku do bëj histori. Le të urojmë që t’ja dalim e të jemi ne që do t’a kthejmë historinë në një Triumf për jetën.

Sot, zbrita deri në dyqanet e lagjes, si për të dalë dhe pak nga kafazi i shtëpisë, hyra në disa dyqane dhe patjetër që sheh njerëz përjashta duke bërë pazare, janë tepër të informuar dhe të sensibilizuar, si më shaka të njohur e të panjohur kërkojnë t’i respektosh distancës sociale, prej të paktën 3 metrave, dhe përdorimin e maskave, dorezave, padiskutim që prioritet mbetet higjena personale, pikat kyqe që luftojnë Virusin, ku Organizata Botërore e Shëndetësisë kërkon rreptësisht të ndiqen këto rregulla.

Spitalet janë të mbipopulluara nga pacientët e prekur në NjuJork, madje vet Coumo Thotë: është tepër emergjente të furnizojë me ventilatore spitalet. Është një katastrofë e madhe që po përballen qytetarët e Nju-Jorkut, sikur mos të mjaftonte fatkeqësia e humbjes së njerëzve tanë të dashur, humbjes së vetë jetës, Apo frika për ekspozimin e mundshëm ndaj Virusit, por ankthi i qytetarëve është i madh, që kanë humbur vendet e punëve, shtëpitë, bizneset, pamundësinë për të paguar qiratë, kreditë, apo faturat normale mujore. Të paktën një dritë jeshile është ndezur mbi këtë ‘torturë’ , vetë Presidenti Trump, i ka kërkuar Kongresit, të miratojë 500 miliardë dollarë për t’i ofruar kesh amerikanëve si dhe 50 miliardë dollarë kredi për linjat e fluturimeve për t’i ardhur sado pak në ndihmë ekonomisë, çdo ditë kjo Pandemi po godet ndjeshëm bursen amerikane.

Ndërkohë ende po diskutohet mes zyrtarëve amerikane paketa e shpëtimit prej 2 trilion dollarësh. Një ngërç mes demokratëve dhe republikanëve amerikanë po ‘cenon’ miratimin e këtij projekt-ligji që rëndon drejtpërdrejt xhepin e qytetarëve. Ndërsa Banka Qëndrore Amerikane ka shpall një sërë programesh për të ndihmuar bizneset e për të zbutur rënien drastike të ekonomisë.

Presidenti Trump, thotë se kjo situatë duhet patjetër të marrin fund më përpara se 4 apo 5 muajve të diskutueshme, ai flet optimist sepse është tejet i angazhuar dhe i impenjuar duke fituar kështu më shumë se kurrë respektin ndaj amerikanëve. Kam dëgjuar këto tri javë të flitet me besim ndaj Presidentit ku qytetarët amerikanë e vlerësojnë vërtetë punën e tij të palodhshme i cili po i qëndron kaq afër jo vetëm elektoratit të tij, por të gjithë amerikanëve qoftë legal apo ilegal ai mbi të gjitha po i jep vlerë jetës së njeriut, duke theksuar se në këtë kohë të jashtëzakonshme nuk ka vend politika , zënkat mes njeri- tjetrit, dua vetëm mirëqenien e të gjithëve që jetojnë në tokën e bekuar të Amerikës e në fakt Trump po mbështet në planin e tij emergjent që hartoi për “Unemployment ” – të papunët, të gjithë që bëjnë pjesë në ‘Payroll ” nëpërmjet këtij programi do përfitojë çdo qytetar për aq kohë sa do zgjasë Kjo fatkeqësi të paktën do lehtësojë një problem më pak.

Trump i ka siguruar qytetarët e tij se nuk janë vetëm, dhe do i qëndrojë besnik deri në fund. Momentalisht, Nju-Jorku paraqet rrezik, dhe dita – ditës rastet po shtohen, madje jemi njoftuar se nëse ndjejmë simptomat e përngjashme si të Covid-it, duhet të njoftojmë mjekun, pa dalë përjashta por në kushte shtëpie edhe nëse je pozitiv , me simptoma të moderueshme kërkohet nga mjekët të kalohet brenda në shtëpi duke përjashtuar përkeqësimin e tij si në rastet e vështirësisë së frymëmarrjes, ku pacienti duhet patjetër të ndiqet në ambientet e spitaleve nën kujdesin e mjekëve. Kryefjala mbetet spitalet këto ditë, ku ka detyruar Trump të urdhërojë që një nga Anijet Spitalore të Marines amerikane, të ankorohet në portin e Nju-Jorkut.

Ndërsa vetë Kryebashkiaku i Shtetit të NY, Bill De Blasio, në një intervistë për Fox News, tha se pa dashur të përhap më shumë panik tek qytetarët, i duhet të tregohet i drejtë dhe i ndershëm me të vërtetën që sipas tij situata çdo ditë po njeh numër të madh të infektuarish me Virus, – Ai mendon se kjo situatë nuk do mbarojë për muaj e muaj të tërë. Ai i ka kërkuar Presidentit Trump që t’ja caktojë Ushtrisë amerikane prodhimin dhe shpërndarjen e furnizimeve mjeksore. – ” Nëse Presidenti nuk vepron menjëherë, do e paguajnë njerëzit të cilët mund të kishin jetuar tha De Blasio. Media amerikane po bën një pasqyrim përtej gazetarisë, tepër të ndjeshëm dhe të bashkuar në këtë betejë të përbashkët, pavarësisht realitet, gazetarët dhe televizionet më me influencë në publik po bëjnë një punë të shkëlqyer si e vetmja dritare e informimit me boten në këtë periudhë aspak të zakontë, po ndezin shpresën për të nesërmen, po i japin jetë errësirës, duke përcjellë forcë dhe pozitivitet për çdo familje, e individ. Është për t’u vlerësuar roli i medias amerikanë në këtë rast fatkeqësie është shembulli më i denjë i gazetarisë dhe komunikimit, e them këtë sepse shoh çdo moment që nuk marrin rolin e ekspertëve të tjerë në këtë luftë për të informuar publikun, por me shumë kujdes dhe respekt ndaj çdo funksionari i jepet prioritet gjithsecilit që mund të konfirmojë në rrugë zyrtarë informacionin e duhur për publikun, ndryshe nga se jemi mësuar të shohim sëmundjen e përdoruesve të internetit dhe rrjeteve sociale të cilët janë të etur për informacion të rëndomtë, e pa fakte.

Ky virus ka ngacmuar edhe gazetarët, ku, Trump në daljet e tij për shtyp i është referuar me ky “Virus Kinez” duke krijuar tensione mes Kinës dhe Amerikës, Trump nuk është kursyer në fajësimin e tij ndaj Pekinit që nuk ka paralajmëruar më herët për këtë virus, për të pregatitur situatën, dhe ka folur më tone të ashpra. – Kina sigurisht nuk e ka pritur mirë qëndrimin e Presidentit amerikan, madje Pekini ka marrë “hak” ndaj gazetarëve amerikanë, të cilët nuk janë lejuar të jenë pjesë e konferencave për shtyp të gazetarëve. E si në çdo vend tjetër në botë, heronjtë e vërtetë të kësaj lufte janë bluzat e bardha, edhe në Nju – Jork, mjekët mbesin simboli i vërtetë i sakrificës e në shërbim 24h dedikuar pacientëve gjithmonë më shpresën që të gjendet sa më parë vaksina, dhe pse ende zyrtarisht nuk është zbuluar asnjë vaksinë specifike përveç rezultateve me sukses të përdorimit të dy ilaçeve Chloroquine dhe Hydroxychloroquine, thuhet të kete qenë teper efikase në kohën e malariasë.

Të gjithë jemi nëpër shtëpia, e unë personalisht po e përjetoj me frikë, për aq kohë sa dhe familjen e kam larg, më shqetëson shëndeti dhe siguria e tyre më shumë se kurrë, por sërish dëshiroj të shoh dhe anën pozitive të saj, për të vlerësuar më shumë atë që kemi, mbi të gjitha Shëndetin dhe Lirinë. Shpresoj që njerëzit t’a kenë kuptuar që në fund të ditës nuk ka kuptim asgjë më shumë sesa familja dhe dashuria për njeri – tjetrin. Ky Virus shpresoj të kete ringjallur ndjenjat e vërteta të humanizmit, e vyrtyteve përtej degjenerimit ku çdo vlerë shkëmbet në emër të lekut, e i kanë mohuar vlerën e vërtetë jetës. Kjo është një betejë e fortë, mes jetes dhe vdekjes, një mësim për gjithsecilin që mendon ndryshe pasi presioni psikologjik i njerëzve besoj se do jetë një tjetër pasojë i shpetimtareve nga ‘Vetizolimi i këtij Virusi.

Kam ndjekur gjithashtu me vëmendje çdo lëvizje të situatës në Shqipëri, Përtej politikës, për herë të parë do pranoja që z. Rama, Kryeministri i Shqipërisë, po bën një punë të mirë më në fund e tepër efikase, e po mban nën kontroll situatën me impenjim, dhe e mbështes në thirrjet e tij të pandalshme që i bën qytetarëve të qëndrojnë nëpër shtëpia. Përgëzoj e gjithë grupin e punës nga Qeveria shqiptare, një falënderim me mirënjohje të thellë për mjekët e të gjitha spitaleve rajonale shqiptare, që po japin jetë nga jeta e tyre për shpëtimin e jetëve të qytetarëve me gadishmërinë pa ndaluar. Sigurisht Policinë e Shtetit shqiptar sepse kanë një mision aspak të lehtë me bindjen e qytetarëve të cilët po shoh se nuk po respektojnë as veten por as të tjerët me ekspozimin e tyre përjashta e nëpër kafene. Pjesa më e madhe e kanë marr shumë me Sportivitet, si një lojë, sikur mos t’i mjaftonte rasti konkret i Italisë, ku po vdesin qindra njerëz në ditë, një trishtim për gjithë ne që neglizhojmë rëndësinë e këtij virusi në trupin e njeriut. Çfarë tjetër mund t’i bindi këto shqiptare që kjo nuk është një lojë, të bëhen më të ndërgjegjshëm sepse nesër do jetë shumë vonë. I lutem të gjithëve bashkëqyterave të mi në Shqipëri, qëndroni në shtëpi, dhe shpetoni një jetë.

Është një mision i përbashkët që n’a bashkon mbi luftën për jetën, sepse vetëm të bashkuar mund t’ja dalim, janë vetëm 14 ditë, bëni durim dhe sakrifikoni për familjen dhe njerëzit tuaj të dashur, shihni një film, lexoni një libër, shkruani një kujtim, telefononi dikë e tregojuni se jeni aty për atë, qëndroni më shumë me familjen, të dashuritë, fëmijët tuaj,me gjyshërit, ato kanë nevojë për ju, jepini mbështetje e dashuri në kohën më të vështirë të njerëzimit, pasi kjo eshte vërtetë një luftë e hapur e kërcënuese ndaj njerëzimit, një luftë pa armë por
E frikshme sepse është armik i padukshëm, e i përbashkët që përditë si një monster përpin si pa të keq jetet tona.
Duke uruar që t’i kthehemi rutinës së përditshme sa më parë, lutjet e mia janë për çdo familje, e person të prekur nga ky përbindësh që ka në dorë fatin dhe jetën e njerzve. I përcjell me zemer, shëndet, e dashuri çdo familjeje shqiptare kudo nëpër botë.

Pas