Nga janari i 2022 deri më gusht në policinë e Tiranës janë referuar çdo ditë mesatarisht 3 kërkesa për urdhra mbrojtje. Tv Klan mëson se në total pranë uniformave blu të kryeqytetit janë depozituar 741 kërkesë padi për urdhër mbrojtje ose 114 më shumë se po për të njëjtën periudhë të vitit 2021. Në pjesën më të madhe kërkesat vijnë nga gjinia femërore që bie pre e dhunës në familje.
Rritja e shifrave shihet shqetësuese nga ana e ekspertëve. Aurela Anastasi, pedagoge e të drejtës kushtetuese në fakultetin e Drejtësisë, thotë se ky fenomen kërkon një angazhim më të madh nga ana e policisë.
“Sa kohë që ajo harxhon kohë për të paraqitur kërkesëpadi në gjykatë ajo duhet të mendoj më mirë që të mënjanoi rriskun që kanë rastet e raportuara kundër dhunës në familje nëpërmjet nxjerrjes së urdhrave paraprak të mbrojtjes së menjëhershme.“
Por sa garanci ofron për jetën e qytetarit pajisja me një urdhër mbrojtje?
“Një urdhër mbrojtje do të thotë vazhdimi i punës me monitorimin e rastit, thirrjen e herëpashershme të personit dhunues, veçimin e dy personave, kujtesën që i bën vazhdimisht personit dhunues që të mos i afrohet viktimës.”
Pak muaj më parë një 37-vjeçare nga Elbasani u masakrua me thikë nga bashkëjetuesi i saj ndonëse ishte e pajisur me urdhër mbrojtje./Tv Klan