Ministri i Punëve të Jashtme i Britanisë së Madhe, David Cameron, ka folur sot në një konferencë për mediat pas takimit me homologen e tij kosovare, Donika Gërvalla.
Ish-kryeministri britanik tha se Britania e Madhe vazhdon të mbetet mbështetëse e Kosovës, duke shtuar se periudha aktuale në botë që po karakterizohet me konflikte të mëdha po bën që Britania të jetë sa më përkrahëse ndaj miqve të saj.
Ne jemi mbështetës të mëdhenj të pavarësisë së Kosovës, të sovranitetit të Kosovës, dhe të së drejtës së Kosovës për t’u njohur nga të tjerët”, ka thënë Cameroni në konferencë për media.
“Mendoj që njëra prej gjërave që e dëgjova e që është shumë e rëndësishme është rëndësia e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi. Kjo është diçka në të cilën po investon Britania e Madhe. Është diçka tepër e rëndësishme për interesin tonë kombëtar”.
“Mendoj që diskutimet që i patëm e rrokin një strukturë më të përgjithshme pasi siç shohim nëpër lajme sot, jetojmë në një botë me pasiguri të mëdha, me konflikte të mëdha, dhe është një periudhë ku shtetet si Britania duhet t’i përkrahim miqtë, të punojmë dhe të punojmë në aleancat tona”.