Fjalimi i presidentit të Kinës në Forumin Ekonomik të Davosit është prova se bota është kthyer përmbys
Amerika e Trumpit duket më shumë si sehirxhiu i papërgjegjshëm, dhe Kina ngjan më shumë me garantuesin dhe ledhin mbrojtës të stabilitetit ekonomik, përmes një vizioni të rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe përkushtimit për një rritje ekonomike gjithëpërfshirëse. Ndoshta vitin tjetër, Forumi i përvitshëm Ekonomik duhet të zhvillohet në rezortin kinez të Yabulit. Për të vërtetuar që bota është kthyer vërtetë kokëposhtë.
Çfarë ndryshimi që sjell një dekadë! Kina ka kaluar, nga të qenit në qendër të kritikave si një aktor i papërgjegjshëm në mesin e viteve 2000, në një nyje të stabilitetit ekonomik global sot. Ky realitet iu shpërfaq para syve shumëkujt të martën, teksa Presidenti i Kinës, Xi Jinping doli në skenë për të ofruar një mbrojtje të fortë të globalizimit ekonomik dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, në çështjet që kërcënojnë prosperitetin dhe rritjen ekonomike globale.
Vijini deklaratat e tij përballë shpërthimeve të presidentit të zgjedhur të SHBA, Donald Trump, në lidhje me avantazhet e padrejta që janë krijuar prej rregullave të lojës të ekonomisë globale – rregulla që kanë shtruar rrugën për ngjitjen e SHBA në majë – dhe do të mbeteni me siguri të shtangur.
Nëse fjalimi i hapjes që mbajti Xi në klubin ekskluziv të elitës ekonomike dhe politike në Davos është shenjë e asaj që do të vijë në vitin 2017, Kina mund të jetë zëri më i fuqishëm që shpall përfitimet sociale dhe ekonomike të globalizimit, duke ftuar vendet e ndryshme që t’i bashkohen marrëveshjeve të tregtisë së lirë që ajo organizon, dhe duke investuar në vendet në zhvillim për të fituar qasje në tregje.
Pikërisht, Kina! Një vend në zhvillim me hapësira të tëra territori rudimentar dhe qindra-miliona njerëz që jetojnë ende në varfëri, po bëhet kampione e globalizimit ekonomik. Po jetojmë në një botë të kthyer kokëposhtë.
Në fjalimin e tij në Davos, Presidenti Xi hodhi poshtë idenë se “forcat e jashtme” ose globalizimi ekonomik janë fajtore për sëmundjet socio-ekonomike që ka bota. Me gjasa duke iu përgjigjur Trumpit dhe retorikës populiste europiane, që ka monopolizuar faqet e para të gazetave e revistave muajt e fundit, Xi vuri në shënjestër konfliktin në vazhdim, paqëndrueshmërinë gjeopolitike, rritjen e terrorizmit dhe krizat e refugjatëve, si shkaqet rrënjësore të “asaj që ka shkuar keq me botën tonë. “
E pathënë mbeti një gjë që zyrtarët kinezë e kanë theksuar më parë: se ishte ndërhyrja e pavazhduar amerikane në historinë politike të Lindjes së Mesme, sidomos në Irak në vitin 203, që solli këtë paqëndrueshmëri rajonale dhe kaosin që shohim sot.
Xi la të kuptohet edhe për marrëzitë e mëparshme të SHBA-së, në kërkim të “fitimeve të pamatë” dhe rregullat e dobëta të tregut financiar, që çuan në krizën financiare globale të fillimit të vitit 2008. Xi vlerësoi nismat e G20 që përmirësojnë qeverisjen ekonomike globale, flukset financiare dhe rregulloret bankare, por ai dhe udhëheqës të tjerë botërorë duhet të jenë me të drejtë të shqetësuar, për gjasat që Trumpi të “grisë” rregullat financiare Dodd-Frank, të cilat kishin vendosur mbikëqyrje më të fortë të bankave amerikane dhe kompanive të investimeve.
Nju Jorku ishte epiqendra e krizës financiare, por pasojat e saj u ndjenë më shumë në Athinë, Madrid apo Dublin.
Nga financa tek tregtia, duket se Amerika e Trumpit nuk do të luajë më rolin e zbatimit të rregullave dhe normave liberale, të cilat Amerika i mbronte dhe përfitonte prej tyre. Në vend të kësaj, është Kina e Xisë që premton të zgjerojë iniciativën “Një Rrip Një Rrugë”, për të lidhur Azinë me Europën dhe Afrikën, duke përdorur tokën, ajrin dhe detin. Kjo nismë të kujton Planin Marshall të SHBA për Europën: Xi e shpalli si një program ambicioz të ndihmës së jashtme, që do të sjellë investime, rritje ekonomike dhe rrugë të hapura tregtie për tregjet në zhvillim. Xi deklaroi se Kina është e hapur për tregtinë dhe mirëpret që bota të shfrytëzojë tregun e saj, që është ekonomia më e madhe në zhvillim në botë, pikërisht në një kohë kur SHBA pritet të rrisë barrierat proteksioniste dhe të tërhiqet nga marrëveshjet e tregtisë.
Aty ku SHBA dikur vetëshpallej qendra e kërkim-zhvillimit, inovacionit teknologjik dhe pronësisë intelektuale, Xi theksoi se si Kina po nxit konsumin dhe kursimin e brendshëm, rritjen e sektorit të vet të shërbimeve për të diversifikuar ekonominë, dhe po investin dhe nxit teknologjitë e gjelbëra.
Xi e hodhi poshtë idenë se globalizimi ekonomik solli gjithë të këqiat, duke vënë theksin në përparimet që janë bërë në produktivitet, teknologji dhe shkencë. Ai nuk mohoi që do të ketë pabarazi, duke qenë se “torta e botës” nuk mund të jetë më e madhe, por shtetet duhet të marrin masa për zbutjen e impakteve negative. Por, Xi na kujtoi se bota mund të jetë në prag të ndryshimeve të reja teknologjike, nga inteligjenca artificiale tek printimi 3D dhe teknologjitë e gjelbëra. Ndryshe nga retorika e Trumpit që të kujton fundin e botës, Xi ndau një optimizëm shumë të nevojshëm, bashkë me shpresën, që u mirëpritën në Forumin që zhvillohet në rezortin zviceran të skive.
Për të shmangur një tjetër depresion si ai i viteve 1930, presidentët e SHBA kanë përdorur politikën monetare për të shtytur tregtinë globale. Për të parandaluar një eksod të kapitalit nga ekonomitë në zhvillim tashmë në telashe, drejt SHBA, shefja e Federal Reserve, Janet Yellen është treguar e matur me rritjen e normave të interesit; një vendim i politikës monetare, kundër të cilit Trumpi ka shfryrë fort. Ndërkohë që dikur ishte monedha që i jepte fuqi tregtisë globale, sot dollari nuk ka mbështetjen e brendshme politike që kishte dikur. Megjithatë, ishte Xi që premtoi të mos e zhvlerësojë monedhën kineze, për të mos shkaktuar një luftë valutash.
Amerika e Trumpit duket më shumë si sehirxhiu i papërgjegjshëm, dhe Kina ngjan më shumë me garantuesin dhe ledhin mbrojtës të stabilitetit ekonomik, përmes një vizioni të rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe përkushtimit për një rritje ekonomike gjithëpërfshirëse. Ndoshta vitin tjetër, Forumi i përvitshëm Ekonomik duhet të zhvillohet në rezortin kinez të Yabulit. Për të vërtetuar që bota është kthyer vërtetë kokëposhtë. / Newsweek – www.bota.al