Me një gjuhë tejet diplomatike, por me një shqetësim të rëndë, ambasadori francez në Shqipëri u ka shkruar letër zyrtare krerëve të shtetit dhe Drejtësisë në lidhje me lirimin nga Gjykata të Domart Konjarit.
Diplomati francez në Tiranë, Bernard Fitoussi, kujton në letër akuzat e rënda për Konjarin dhe thekson se shteti francez ka angazhuar dhjetëra policë e hetues për zbardhjen e krimeve të Konjarit duke shpenzuar miliona euro
“I ftuar i një vendi mik dhe aleat, nuk më takon të kritikoj vendimin e një trupi gjykues të pavarur. Dua veçanërisht të tërheq vëmendjen tuaj mbi interpretimin që mund t’i bëhet vendimit të Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda të datës 14 mars 2016, për heqjen e masës së arrestit me burg ndaj D.K (Domart Konjari)”, thekson ambasadori në letër.
Në letrën e diplomatit theksohet se personi i liruar është dënuar në mungesë, më 13 nëntor 2015, nga Gjykata e Shkallës së Parë e Rennes (Francë) me 10 vjet burg. Nga ky dënim, sipas ambasadorit, ai nuk mund të bëjë më pak se gjashtë vite burg, me ndalim të përhershëm në territorin francez, dhe me një gjobë prej 2.6 milionë eurosh.
“Motivet janë: import, mbajtje, transport, tregtim i drogës, krijim i një grupi kriminal dhe pastrim parash nga trafiku i drogës. Ai është i njohur si drejtues i një rrjeti ndërkombëtar trafiku kokaine, aktiv në më shumë se gjashtë vende, rrjet ku janë të përfshirë dyzet e pesë persona nga pesë vende të ndryshme, mes të cilëve edhe francezë”, thuhet në letër.
DOSJA NË SHQIPËRI
Ambasadori francez Bernard Fitoussi informon krerët e shtetit dhe Drejtësisë se në zbatim të Konventës europiane për ndihmë të ndërsjelltë gjyqësore në fushën penale e ratifikuar nga Shqipëria, Drejtësia franceze i ka kërkuar Drejtësisë shqiptare të ushtrojë ndjekjen penale ndaj këtij shtetasi shqiptar.
“Kjo procedurë, e quajtur ‘denoncim zyrtar’, është filluar nga zv/ prokurori i Renness dhe dërguar në frëngjisht e në shqip Prokurorisë së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë më 16 nëntor 2015, vetëm 3 ditë pas dënimit të D.K (Domart Konjarit)”, thuhet më tej në letër.
Sipas diplomatit, ky dokument prej 34 faqesh përmbledh 28 volume procedure, për të cilët, disa dhjetëra e mijëra orë të policëve, magjistratëve, ose disa miliona euro janë investuar nga Franca që prej vitit 2011.
LIRIMI
Domart Konjari, i arrestuar në Korçë për dhënie ryshfeti ndaj një polici dhe përdorim pasaporte të falsifikuar, u lirua pak ditë më parë nga Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda pas një procedure të paqartë.
Vendimi për lirimin e tij ende nuk është zbardhur, ndërsa Prokuroria e ka kundërshtuar këtë vendim dhe ka hedhur poshtë akuzat e Gjykatës se dosja apo kërkesa për masë ishte dorëzuar jashtë afatit./ Trazhgim Sokolaj Panorama.al