Partia e Ilir Metës, LSI deklaroi sot zyrtarisht se është në opozitë dhe do të bëjë një opozitë të fortë. Sipas Vasilit: Jo si opozita e shitur si e Lulzim Bashës.
Muaji korrik pritet të jetë sërish beteje mes Ilir Metës dhe Edi Ramës pas betejës për vota që zhvilluan në qershor.
A do ta dekretojë Ilir Meta qeverinë e re të dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit? Kjo është pyetja që shtrohet në këtë moment kur vetë Presidenti i zgjedhur kërcënoi gjatë fushatës se mund të mos dekretojë. Po socialistët a do ta mbajnë premtimin se mund ta shkarkojnë Presidentin? (deklarata e Ruçit).
Opinion.al ka mësuar se Rama mund të tërheqë deputetët e tij nga seanca solemne e betimit të Presidentit më 24 korrik të këtij viti, datë kur edhe merr detyrën zyrtarisht Ilir Meta.
Nga ana tjetër edhe Petrit Vasili e la të hapur sot mundësinë e mosdekretimit të qeverisë edhe pse nuk deshi ti hyjë në kompetenca Metës.
Fjala e tij sot për mediat ishte e mbushur me etiketime: “nacional-socializmi” “gestapo” dhe “banda naziste”. Sulme të dukshme ndaj Ramës që tashmë e etiketojnë si Hitleri apo Gedafi.
Lidhur me skenarin e mundshëm të mos dekretimit të qeverisë “Rama 2”, Vasili u tha mediave se “Meta merr detyrën në 24 korrik dhe pas marrjes së detyrës mund të komunikoni të gjitha çështjet. Detyra jonë është evidentimi i plotë i të gjitha rasteve të problemeve në zgjedhje”/ Opinion.al