Sot në Samitin e Investimeve të Ballkanit Perëndimor, në prani të të gjithë kryeministrave rajonalë, Bashkimi Evropian ka konfirmuar synimin e saj për të siguruar një grant prej 12 milionë eurosh për të mbështetur ndërtimin e interkonjeksionit të parë të energjisë elektrike mes Shqipërisë dhe Maqedonisë.
Lajmi u bë e ditur përmes një njoftimi për shtyp të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Projekti është pjesë e agjendës së nderlidhjes mes vendeve të Ballkanit Perëndimor me fonde të siguruara nga Instrumenti i Para-Anëtarësimit (IPA) përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF).
Ky projekt është pjesë e iniciativës së Komisionit Evropian për të krijuar një korridor Lindje-Perëndim të transmetimit të energjisë elektrike midis Bullgarisë, Maqedonisë, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Italisë, duke përfshirë kabullin e planifikuar nënujor nga Mali i Zi në Itali, një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një tregu rajonal të energjisë elektrike. /ATA