Ish-kryeministri, Sali Berisha, është ndalur këtë të shtunë në një takim në Përmet ku prezantoi kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për këtë bashki.
Gjatë takimit, Berisha tha se kryeministri Rama ka tmerr nga opozita pasi ka kryer afera korruptive . Sipas Berishës një njeri që është i lirë nuk ka frikë, por sipas tij kreu i qeverisë nuk është i lirë.
“Në datën 14 maj, vota për Edmond Kominon është votë për ndryshimin. Ju e shihni se çfarë beteje të egër bën para syve të gjithë botës kundër opozitës, e ka kapur tmerri, e ka kapur frika e madhe. Sepse ai ka kryer vepra nga të cilat duhet të tmerrohet. Një njeri që është i lirë nuk ka frikë, por ai nuk është i lirë. Ai ka firmosur në kundërshtim me ligjin për xhepin e tij dhe të Erion Velisë aferën 430 milionë euro, ai po privatizon 820 mijë metër katror truall në Durrës për t’u bërë miliarder si Alabbari. Ai ka tmerr nga këto. Ndaj dhe shikon te opozita tmerrin e vërtet, shikon te Sali Berisha tmerrin e vërtetë. I pashpresë je i them, shpresë nuk ke. McGonigal po të pret”,-tha Berisha.