Ish-kryeministri Sali Berisha u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin në protestë, nesër në orën 11:00 përpara Bashkisë së Tiranës.
Sipas tij, nesër do jetë dita kur Erion Veliaj, do të shkojë në burgun 313.
“Nesër mbarë Shqipëria, kombi shqiptar kudo që ndodhet, ka sytë, mendjen dhe zemrën tek veprimi juaj, zemërimi juaj, fitorja juaj në Bashkinë e Tiranës. Nesër shqiptarët presin që qytetarët e Tiranës të dëshmojnë shqiptarizmin e tyre. Presin të faktojnë veten si europianë të vërtetë.
Presin që me zemërimin e tyre të çlirojnë Bashkinë e Tiranës, shtëpinë e parë të kryeqytetit nga një bandë hajnash pa asnjë moral, që aplikojnë modelin e vjedhjes 100 përqind të parave të taksapaguesve të Tiranës. Të dashur miq, nesër është dita e qytetarit. Është dita e luftëtarëve të lirisë. Është dita në të cilën Erion Veliaj kapet për zverku dhe dërgohet në 313-ën. Nesër është dita që qytetarët marrin në dorë fatin e tyre, fatin e bashkisë, fatin e Tiranës, fatin e Shqipërisë”, tha Berisha.