Benjamin Netanyahu, kryeministri izraelit pritet të takohet sot në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin e SHBA-së Donald Trump , i cili dje tha se shpreson të arrijë një marrëveshje “këtë javë” midis Izraelit dhe Hamasit për të shpallur një armëpushim dhe për të liruar pengjet që mbeten të mbajtura në Rripin e Gazës për ditën e 640-të.
Raportohet se negociatat indirekte filluan mbrëmë në Doha me qëllim arritjen e një marrëveshjeje për lirimin e pengjeve izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite.
“Bisedimet kishin të bënin me mekanizmat për zbatimin” e marrëveshjes së mundshme dhe “shkëmbimin” e pengjeve izraelite në Gaza me të burgosurit palestinezë në Izrael, tha një burim palestinez në dijeni të diskutimeve, duke sqaruar se negociatat u zhvilluan “përmes ndërmjetësve”.
Siç raportojnë mediat ndërkombëtare, raundi i parë i negociatave indirekte në kryeqytetin e emiratit të Katarit ishte i pafrytshëm, duke shtuar se delegacioni izraelit nuk ka një mandat që i lejon të mbyllë një marrëveshje.
Nga ana e tij Presidenti Donald Trump vlerësoi dje se ekziston një “shans i mirë” që të arrihet një marrëveshje .
“Ne kemi liruar tashmë shumë pengje, por për sa i përket pengjeve të mbetura, do të ketë një numër të mirë. Mendojmë se kjo do të ndodhë këtë javë”, u tha republikani gazetarëve.
Përpara nisjes për në SHBA, Kryeministri Netanyahu konsideroi se takimi i tij me Presidentin Trump mund të “kontribuonte në promovimin e rezultatit që të gjithë shpresojmë”.
Republikani po bën presion për shpalljen e një armëpushimi të ri në Rripin e Gazës, i zhytur në një situatë katastrofike humanitare pas 21 muajsh lufte.
Benjamin Netanyahu tha gjithashtu se u dha negociatorëve të tij “udhëzime të qarta”: të arrinin një marrëveshje “mbi kushtet që pranojmë”.

















