Lideri historik i demokratëve Sali Berisha gjatë takimit me anëtarë dhe simpatizantë të PD-së tha se për situatën e krijuar në këtë forcë politike do të kërkohet referendum i të gjithë anëtarëve.
Berisha foli për mbledhjen e 1500 firmave dhe thirrjen e kuvendit kombëtar.
“Kjo nismë do të ketë ndërgjegjësimin e demokratëve për situatën e krijuar në PD. Do mblidhen firmat e 1500 delegatëve të kuvendit kombëtar dhe pas kësaj do thërrasim forumin më të lartë që është kuvendi kombëtar i partisë. Ne çdo gjë do ta zgjidhim në mënyrën më demokratike. Do t’i kërkojmë kuvendit kombëtar të vendosë që për vendimin që mori, të shprehet me referendum çdo anëtare dhe anëtar i PD në të gjithë Shqipërinë”, u shpreh Berisha. Ndërkohë i pyetur nga të pranishmit, lidur me lidershipin e partisë, ai u shpreh: “Kush do e udhëheqë PD-në do ta përcaktojnë demokratët dhe demokratet me vullnetin e tyre të lirë”./Opinion.al