Një aksident i ka marrë jetën 38-vjeçarit shqiptar në Itali. Bëhet me dije se viktima është identifikuar si shtetasi shqiptar Erion Bali.
Ngjarja tragjike ndodhi në orët e para të mëngjesit të 2 janarit, teksa 38-vjeçari po kthehej në shtëpi tek bashkëshortja dhe 3 fëmijët e tij.
Mediat italiane raportuan se Bali humbi kontrollin mbi automjetin, e cila përfundoi në barrierat anësore të rrugës duke u shkatërruar tërësisht.
Ekipet e emergjencës që mbërritën në vendngjarje mundën të bënin shumë pak për të shpëtuar shqiptarin.
U desh ndërhyrja e zjarrfikësve për të nxjerrë nga makina trupin e të ndjerit, për shkak se mjeti ishte shkatërruar tërësisht nga përplasja e fortë.
Erion Bali kishte hapur së fundmi një restorant në zonë dhe po kthehej prej andej pasi kishte bërë pastrimet e fundit. Ai jetonte prej më shumë se 20 vitesh në Cremone dhe ishte integruar më së miri në komunitet.