Bota

BE thirrje për mbylljen urgjente të kampit të refugjatëve në Vuçjak


               Publikuar në : 15:46 - 14/11/19 |
el ida

Teksa një debat mbi situatën e migrantëve në Bosnje dhe Hercegovinë u zhvillua në Parlamentin Evropian, BE-ja i bëri thirrje Bosnjës që të mbyllë menjëherë kampin e emigrantëve në Vuçjak, dhe të zhvendosë në mjedise tjera të gjithë personat që gjenden aty, pasi kampi nuk ka as kushtet minimale jetike.

Komisioneri evropian për Punë të Brendshme, Dimitris Avramopulous tha se kushtet në kampin e Vuçjakut janë të papranueshme.

“Ne nuk mund të pranojmë transferimin e vazhdueshëm të emigrantëve dhe refugjatëve në një mjedis krejtësisht të papërshtatshëm të Vuçjakut, ku ata janë në rrezik serioz për shkak të mungesës së ujit, kanalizimeve, strehimit dhe mbrojtjes”, tha ai, duke paralajmëruar se BE-ja nuk do të ofrojë asnjë ndihmë financiare për këtë kamp.

Ai shtoi se për të parandaluar një krizë të re humanitare gjatë dimrit, situata në Bosnje do të jetë tema kryesore e diskutimit në një takim që do të mbahet javën e ardhshme në Shkup, ku ministrat e brendshëm të BE-së do të takohen me homologët e tyre nga Ballkani Perëndimor.

Gjatë debatit, të gjithë pjesëmarrësit shprehën po ashtu shqetësim për rastet e pretenduara të kthimit të dhunshëm dhe keqtrajtimit të emigrantëve në kufirin midis Kroacisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

Migrantët që synojnë të arrijnë në Evropë, shpesh hyjnë në Bosnje përpara se të kalojnë në Kroaci, vend anëtar i Bashkimit Evropian, dhe të vazhdojnë më pas më në perëndim./Opinion.al

Pas