Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result
KONTAKT
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë
Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result

BE-ja kritikon Serbinë për stërvitjen ushtarake me Kinën

2025/07/17 at 4:38 PM
në Rajoni, Te Fundit
Kohë leximi: 5 min
A A
BE-ja kritikon Serbinë për stërvitjen ushtarake me Kinën

Stërvitja e parë ushtarake mes ushtrisë serbe dhe asaj kineze shënon një hap të ri në forcimin e bashkëpunimit ushtarak mes dy vendeve.


Me këtë veprim, Serbia bëhet vendi i vetëm kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian që zhvillon stërvitje të tilla me Kinën.

Ministria kineze e Mbrojtjes njoftoi më 14 korrik se stërvitja, e quajtur “Rojtari i Paqes 2025”, do të zhvillohet në gjysmën e dytë të korrikut, në provincën Hebei në veri të Kinës.

Viteve të fundit, Serbia ka blerë armë nga Kina, duke u bërë vendi i parë në Evropë që blen sistemin kinez kundërajror, FK-3.

Për shkak të qasjes ndaj Kinës dhe Rusisë, Brukseli e ka paralajmëruar disa herë Serbinë.

Edhe stërvitja ushtarake me Kinën u pa në të njëjtin kontekst kritik nga BE-ja.

“Serbia duhet të përmbahet nga veprimet dhe deklaratat që bien ndesh me qëndrimet e BE-së në fushën e politikës së jashtme”, ishte mesazhi nga Brukseli.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënës i BE-së tha se blloku dëshiron të mbështetet te Serbia si një partnere e besueshme evropiane, për parime dhe vlera të përbashkëta.

“Neve na duhet që Serbia të na bindë për drejtimin e saj strategjik”, tha zëdhënësi i BE-së.

Si vend kandidat, Serbia e ka detyrim të përputhet me politikën e jashtme të BE-së, dhe Brukseli e ka kërkuar këtë shumë herë nga Beogradi.

Serbia është ushtarakisht neutrale, por është anëtare e programit të NATO-s “Partneriteti për Paqe” dhe qëllim strategjik i saj është anëtarësimi në BE.

Beogradi zyrtar e balancon njëkohësisht politikën e tij të jashtme midis Perëndimit, Kinës dhe Rusisë, e cila është izoluar nga Perëndimi për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Nikolla Lluniq, analist serb i gjeopolitikës dhe sigurisë, beson se vendimi i Serbisë për stërvitje ushtarake me Kinën “e minon orientimin e deklaruar të Serbisë drejt BE-së”.

“Forcimi i ndërveprimit të njësive kineze dhe serbe i dërgon Perëndimit një mesazh të qartë gjeopolitik”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Para stërvitjes me Ushtrinë e Serbisë, Ushtria e Kinës zhvilloi në korrik të vitit 2024 manovra në Bjellorusi – së bashku me ushtrinë e këtij vendi – në kufi me NATO-n.

Ato u mbajtën në kohën e samitit të NATO-s në Uashington, ku udhëheqësit e aleancës ushtarake shprehën mbështetje “të padiskutueshme” për Ukrainën, ndërsa kritikuan ashpër Pekinin për mbështetjen e tij për Rusinë.

Cili është qëllimi i stërvitjes në Kinë?
Sipas njoftimit të Ministrisë kineze të Mbrojtjes, stërvitja e planifikuar “do të kontribuojë në forcimin e aftësive luftarake të pjesëmarrësve dhe thellimin e bashkëpunimit midis dy ushtrive”.

Ministria serbe e Mbrojtjes nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me qëllimin e kësaj stërvitjeje, e as se cilat njësi dhe sa ushtarë të Ushtrisë së Serbisë do të marrin pjesë.

Përgjigje nuk ktheu as Ambasada e Kinës në Beograd.

Tash për tash, nuk ka informacione as nëse dhe kur do të mbahet një stërvitje e përbashkët në Serbi, pasi këto stërvitje zakonisht organizohen me rotacion.

Lluniq thotë se nga njoftimi i Ministrisë kineze të Mbrojtjes mund të kuptohet më shumë se bëhet fjalë për një stërvitje ushtarake, e jo për trajnim.

Ai thotë se trajnimet ushtarake nuk kanë emër, ndaj “Rojtari i Paqes 2025” është më i përshtatshëm për stërvitje ushtarake.

NATO-ja nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë në lidhje me stërvitjen e paralajmëruar ushtarake mes Serbisë dhe Kinës.

Armët kineze në Ushtrinë e Serbisë
Serbia bleu nga Kina gjashtë dronë pa pilot CH-92A në vitin 2020 dhe, dy vjet më vonë, edhe sistemin raketor të mbrojtjes ajrore FK-3.

Kështu, Serbia u bë operatore e këtyre raketave kineze dhe dronëve luftarakë në Evropë.

Gjatë prezantimit të pajisjeve të reja të Forcave të Armatosura të Serbisë në prill të vitit 2023, publikut iu prezantua edhe droni kinez CH-95.

Ministria e Mbrojtjes e Serbisë njoftoi në fund të vitit 2024 se në Kinë është realizuar një trajnim për sistemin raketor FK-3, i cili mund të godasë lloje të ndryshme avionësh, helikopterësh, raketash lundruese dhe dronësh.

Brukseli dhe Uashingtoni kanë shprehur vazhdimisht shqetësim për blerjet e armëve ruse dhe kineze nga Serbia.

Pasi Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022, Serbia vendosi një moratorium për të gjitha stërvitjet ushtarake me partnerë të huaj.

Përjashtim bën stërvitja taktike ndërkombëtare “Ujku i Platinit”, në të cilën njësitë e Ushtrisë së Serbisë forcojnë aftësitë e tyre për të marrë pjesë në misione paqeruajtëse.

Stërvitjet “Ujku i Platinit” zhvillohen në Serbi që nga viti 2014 dhe në to marrin pjesë edhe anëtarë të NATO-s, përfshirë Shtetet e Bashkuara.

Lluniq thotë se pjesëmarrja e Serbisë në stërvitjen ushtarake me Kinën, bie ndesh me synimet që vetë Serbia i ka shpallur për politikën e saj të jashtme dhe e bën të paqëndrueshëm pretendimin e saj për neutralitet ushtarak.

“Është e qartë se moratoriumi mbështetet në kritere politike, jo parimore, dhe për këtë arsye, neutraliteti ushtarak i Serbisë, për shkak të kësaj qasjeje selektive, humb çdo besueshmëri ndërkombëtare”, thotë ai.

Stërvitjes ushtarake i paraprinë ushtrimet policore
Stërvitjet e ardhshme ushtarake nuk do të jenë të parat midis Serbisë dhe Kinës në fushën e sigurisë.

Viteve të kaluara, janë mbajtur edhe ushtrime mes njësive speciale të Policisë së Serbisë dhe asaj të Kinës, ndërsa që nga viti 2019 dy vendet kanë edhe një marrëveshje për patrulla të përbashkëta policore.

Vuk Vuksanoviq, nga Qendra e Beogradit për Politikat e Sigurisë, përmend edhe dokumentin kinez të Iniciativës Globale të Sigurisë (GSI), të vitit 2023.

Në të, kujton ai, thuhet se Kina do t’i forcojë partneritetet dhe shkëmbimet e saj të sigurisë në fushën e arsimit ushtarak dhe policor.

Vuksanoviq thotë se rritja e bashkëpunimit në siguri mes Serbisë dhe Kinës reflektohet përmes blerjes së pajisjeve ushtarake kineze, bashkëpunimit policor dhe teknologjisë kineze të mbikëqyrjes.

“Nga perspektiva e Serbisë, ky është vetëm një vazhdim i politikës shumëvektoriale dhe politikës balancuese”, vlerëson ai.

Cili është interesi i Kinës?
Ushtria dhe policia kineze, sipas Vuksanoviqit, kërkojnë partnerë për të fituar përvojë ndërkombëtare.

Ai thotë se vendet evropiane, kryesisht, nuk ishin të gatshme ta bënin këtë.

“Kjo [me Serbinë] është përpjekje për të fituar përvojë ndërkombëtare dhe, në të njëjtën kohë, është shumë e dobishme për promovimin e Kinës si një fuqi e re globale në rritje”, thotë Vuksanoviq.

Në korrik të vitit 2019, përpara pushtimit rus të Ukrainës, në Gjermani u mbajt një stërvitje e përbashkët ushtarake-mjekësore midis saj dhe Kinës.

Ajo u quajt “Ndihma e Kombinuar 2019” dhe në fokus kishte përgatitjen për reagim gjatë krizave humanitare.

Në media u përshkrua si ngjarja e parë për ushtrinë kineze në përpjekjet e saj për të krijuar lidhje më të ngushta me Evropën.

Serbia dhe Kina, viteve të fundit, i kanë forcuar edhe marrëdhëniet ekonomike dhe politike, të cilat dy vendet i cilësojnë si “miqësi të çeliktë” dhe “partneritet strategjik”.

Gjatë vizitës së dytë të presidentit kinez, Xi Jinping, në Beograd, në maj të vitit 2024, u nënshkrua një deklaratë për thellimin e partneritetit strategjik dhe “ndërtimin e një bashkësie të Serbisë dhe Kinës, me një të ardhme të përbashkët në epokën e re”.

Beogradi së bashku me Parisin dhe Budapestin ishin tri adresat e vizituara nga Xi, gjatë vizitës së tij në Evropë në pranverën e vitit 2024.

Kina, ndërkohë, u bë edhe partnerja më e madhe e tregtisë së jashtme të Serbisë për sa u përket importeve, të cilat arritën në 5.13 miliardë euro në vitin 2024.

Autoritetet në Beograd mbështeten te Kina kur bëhet fjalë për investime ekonomike dhe kredi.

Ato, gjithashtu, llogarisin në mbështetjen e Kinës në organizatat dhe institucionet ndërkombëtare, sa i përket kundërshtimit të pavarësisë së Kosovës./rel



Ju sugjerojmë

Rrëfimi i Fatos Nanos në vitin 2010, si hyri në qeverinë e Adil Çarçanit
-U tha në Opinion

Rrëfimi i Fatos Nanos në vitin 2010, si hyri në qeverinë e Adil Çarçanit

4 Nëntor, 2025 10:28 pm
Kush ishte Dick Cheney, figura kyçe në historinë moderne të SHBA-së
Bota

Kush ishte Dick Cheney, figura kyçe në historinë moderne të SHBA-së

4 Nëntor, 2025 10:01 pm
Haaland për Messin dhe Ronaldon: Askush nuk mund t’u afrohet atyre
Sport

Haaland për Messin dhe Ronaldon: Askush nuk mund t’u afrohet atyre

4 Nëntor, 2025 9:30 pm
Një në pesë fëmijë jetoi në zonë konflikti gjatë 2024
Bota

Një në pesë fëmijë jetoi në zonë konflikti gjatë 2024

4 Nëntor, 2025 8:49 pm
Publikohet projektbuxheti 2026, ku do të shkojnë taksat
Aktualitet

Publikohet projektbuxheti 2026, ku do të shkojnë taksat

4 Nëntor, 2025 8:30 pm
Maldivet ndalojnë pirjen e duhanit për të lindurit pas vitit 2007
Bota

Maldivet ndalojnë pirjen e duhanit për të lindurit pas vitit 2007

4 Nëntor, 2025 7:56 pm
Kosovë, Osmani mandaton Konjufcën për formimin e qeverisë
Kryesore

Kosovë, Osmani mandaton Konjufcën për formimin e qeverisë

4 Nëntor, 2025 7:46 pm
Jep dorëheqjen kreu i Kadastrës së Vlorës, Genc Deromemaj
Aktualitet

Jep dorëheqjen kreu i Kadastrës së Vlorës, Genc Deromemaj

4 Nëntor, 2025 7:16 pm
Përplasen dy makina në aksin rrugor Lushnje-Berat
Kronikë

Përplasen dy makina në aksin rrugor Lushnje-Berat

4 Nëntor, 2025 6:49 pm
LVV-ja propozon Konjufcën si mandatar, partitë e tjera insistojnë në zgjedhje
Rajoni

LVV-ja propozon Konjufcën si mandatar, partitë e tjera insistojnë në zgjedhje

4 Nëntor, 2025 6:22 pm
Para
Zgjedhjet e 11 Majit,Adriatik Lapaj:Duhen rinumëruar votat e qarkut Fier dhe Vlorë

Shqipëria Bëhet letër KQZ:Të respektohen dorëheqjet e kandidatëve në listën e ...

Nga 15 maji, Osmani nis përpjekjet për zhbllokim të Kuvendit

Osmani: Në maj morëm informacione për veprimet e Serbisë në kufi me Kosovën

Britani/ Ndryshime në sistemin zgjedhor, e drejta e votës ulet në moshën 16 vjeç!

Britani/ Ndryshime në sistemin zgjedhor, e drejta e votës ulet në moshën 16 vjeç!
















TE FUNDIT

Rrëfimi i Fatos Nanos në vitin 2010, si hyri në qeverinë e Adil Çarçanit

Rrëfimi i Fatos Nanos në vitin 2010, si hyri në qeverinë e Adil Çarçanit
4 Nëntor, 2025

Në homazh të ish-kryeministrit dhe liderit historik të PS, Fatos Nano i cili u nda nga jeta më 31 tetor,...

Lexo më shumë

Kush ishte Dick Cheney, figura kyçe në historinë moderne të SHBA-së

Kush ishte Dick Cheney, figura kyçe në historinë moderne të SHBA-së
4 Nëntor, 2025

Dick Cheney, ish-nënkryetar i SHBA-së dhe një nga arkitektët kryesorë të politikave të “Luftës kundër Terrorizmit”, ka lënë pas një...

Lexo më shumë

Haaland për Messin dhe Ronaldon: Askush nuk mund t’u afrohet atyre

Haaland për Messin dhe Ronaldon: Askush nuk mund t’u afrohet atyre
4 Nëntor, 2025

Erling Haaland rikthehet përballë të kaluarës së tij këtë të mërkurë në mbrëmje, kur Manchester City pret Borussia Dortmundin në...

Lexo më shumë

Një në pesë fëmijë jetoi në zonë konflikti gjatë 2024

Një në pesë fëmijë jetoi në zonë konflikti gjatë 2024
4 Nëntor, 2025

Rreth 520 milionë fëmijë në gjithë botën kanë jetuar në zona konflikti më 2024, 47 milionë më shumë sesa në vitin paraprak,...

Lexo më shumë
Opinion.al

Kategoritë

Kryesore

Aktualitet

Unë Shkruaj

Komente

Bota 

Sport 

Instabiz

Opinion Web Tv

Lifestyle

Galeri

Rreth Nesh

ON AIR: E hene – E marte – E merkure – 22:15 E ejnte – 21:00

OPINION nga Blendi Fevziu. Emisioni politik me i ndjekur dhe me i preferuar ne ekranet shqiptare.
“Opinion” vjen ne kater takime cdo jave – e hene, e marte, e merkure dhe takimi tradicional i te ejntes mbrema.
Cdo jave ne studion e Tv Klan, komente, analiza, debate, komente, intervista, personazhe, deshmi dhe fakte konkrete. Ngjarjet me te fundit dhe me te rendesishme ne jeten politike dhe sociale te vendit, me debatet, opinionet dhe analizat e te ftuarve ne studio.
Salloni i politikes dhe aktualitetit hap dyert 4 mbremje ne jave, per te degjuar opinionet e politikaneve dhe analisteve. Padron i shtepise, gazetari dhe analisti Blendi Fevziu.

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com