Gjykata e shkallës së parë në Vlorë ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Luciano Deraj alias Albano Deraj, i arrestuar tre ditë më parë në Babicë të Vlorës.
Në banesën e Derajt policia gjeti një arsenal armatimesh të ndryshme. Luciano Deraj, u arrestua si pjesë e operacionit “Knock out 6” ku në të u angazhuan krahas policisë së Vlorës dhe forcat Renea.
Deraj mësohet se përgjatë seancës gjyqësore nuk ka folur fare, duke mos dhënë asnjë reagim, përveç pyetjeve të drejtuara nga relatorja e kësaj seance.
Luçiano (Albano) Deraj, i arrestuar gjatë aksionit të djeshëm, ka refuzuar që të flasë para efektivëve të Policisë së Vlorës, duke mos treguar detaje për origjinën e armëve dhe me çfarë grupesh kriminale ka lidhje. Por sipas dyshimeve mësohet se Deraj bashkëvepronte me disa grupe kriminale në Vlorë, Fier dhe qytete të tjera.