Ministrat e çështjeve evropiane të Bashkimit Evropian kanë finalizuar ndalimin e importeve të gazit nga Rusia, pas një marrëveshjeje të arritur mes Komisioni Evropian, Parlamenti Evropian dhe qeverive anëtarë në fund të vitit të kaluar. Vendimi vjen gati katër vjet pas nisjes së pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga ana e Rusisë.
Ndërsa ministrat miratuan zyrtarisht masën në Bruksel, aktivistë të organizatës Greenpeace në Belgjikë protestuan përpara selisë së Këshillit të BE-së, duke kundërshtuar planet për të zëvendësuar gazin rus me importe nga Shtetet e Bashkuara dhe kritikuar varësinë e Europës nga lëndët djegëse fosile të importuara nga regjime autoritare.
Sipas Greenpeace, mesatarisht dy deri në tre cisterna me gaz të lëngshëm nga SHBA mbërrijnë çdo ditë në Evropë. Organizata mjedisore paralajmëron se BE-ja rrezikon të krijojë varësi të reja të rrezikshme, nëse nuk orientohet drejt energjive plotësisht të rinovueshme.
Ndalimi parashikon që importet e gazit të lëngshëm dhe atij përmes tubacioneve, nën kontrata afatshkurtra, të përfundojnë përkatësisht në prill dhe qershor 2026. Për kontratat afatgjata, importet e gazit të lëngshëm do të ndalohen në janar 2027, ndërsa ato përmes tubacioneve në fund të shtatorit 2027.
Kompani që shkelin vendimin do të përballen me gjoba deri në 40 milionë euro, 3.5 për qind të xhiros vjetore ose 300 për qind të vlerës së transaksionit përkatës. Deri në mars 2026, qeveritë e vendeve anëtare duhet të paraqesin plane konkrete për të ulur varësinë nga gazi rus.
Greenpeace i bën thirrje bllokut evropian të tërhiqet nga angazhimi për të importuar 750 miliardë dollarë produkte energjie nga SHBA dhe të përshpejtojë kalimin drejt energjisë së rinovueshme vendase.

















