Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha se ai nuk do ta përdorë mundësinë që i japin ndryshimet zgjedhore për të kandiduar në 4 zona elektorale.
Duke ju referuar dhe opinioneve paraprake të Komisionit të Venecias për të mos kandiduar në më shumë se 1 zonë, Basha tha se i qëndron parimit.
“PD dhe unë i qëndrojmë vetëm parimit, dhe parimi është që të kandidojmë vetëm në një zonë”, tha Basha gjatë një inerviste në News 24, megjithatë duke mos dhënë detaje se cila do të jetë zona e tij elektorale.
Njëkohësisht Basha ka folur edhe për raportet me LSI, duke thënë se opozita është e bashkuar me qëllimin për të larguar Kryeministrin.
“Opozita është e bashkuar në çdo aspekt, në aspektin e strategjisë, të programit, të taktikave. Ajo që na bashkon është objektivi, që e bashkon shumicën dërrmuese të shqiptarëve: nevoja për ndryshim, largimi i një kryeministri që nuk mbajti asnjë premtim në këto 7 vite”, tha Basha./Opinion.al