Presidentja Vjosa Osmani, gjatë një takimi sot me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, tha se bandat kriminale serbe që sulmuan misionin e NATO-s në muajin maj, fatkeqësisht janë ende të lirë dhe mos ndëshkimi i tyre është mesazh i keq dhe inkurajim për Serbinë që të sulmojë serish.
E para e vendit falënderoi KFOR-in për angazhimin e vazhdueshëm të kësaj force si reagues i tretë, për të garantuar siguri në Kosovë, si dhe shprehu mirënjohje për shtimin e trupave që po mbështesin institucionet vendore në patrullim të kufirit me Serbinë, në veçanti pas aktit të agresionit serb më 24 shtator në Banjska, shkruan kosovapress.
Osmani ka potencuar rëndësinë e vazhdimësisë së koordinimit në mes të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës, si dhe koordinimit me të gjitha institucionet e sigurisë në vend, në të mirë të stabilitetit e sigurisë për të gjithë qytetarët pavarësisht etnisë.
Ajo po ashtu u informua rreth gjendjes së ushtarëve të forcës shumëkombëshe të lënduar në veri të Kosovës në maj.