Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë ka ripërsëritur ftesën për të rinjtë dhe të rejat që të bëhen pjesë e Policisë së Shtetit.
Në një postim në rrjetet sociale ministri Balla, thotë se duke u bërë oficer policie të rinjtë kanë mundësinë të zhvillohen profesionalisht dhe personalisht si dhe të bëjnë diferencë pozitive në komunitet.
Postimi i plotë i ministrit Balla:
Sfida për ta rinuar policinë e shtetit është e hapur. Prandaj sot në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë dëshiroj të ripërsëris ftesën time për të rinjtë dhe të rejat që kanë dëshirë të bëhen pjesë e Policisë së Shtetit.
Duke u bërë oficer policie ju keni mundësinë të zhvilloheni profesionalisht dhe personalisht si dhe të bëni diferencë pozitive në komunitetin tuaj. Ju do të mbroni rendin publik, parandaloni dhe hetoni krimin. Është një detyrë e rëndësishme publike, shumë sfiduese, e cila ju jep mundësinë të shikoni impaktin direkt të punës tuaj.