Një autobus shkolle është përfshirë në një aksident të rëndë pranë Cranzahl, një qytet i vogël në Erzgebirgskreis.
Sipas mediave gjermane, një nxënës ka vdekur, ndërsa 13 persona të tjerë janë lënduar.
Sipas informacioneve, autobusi i shkollës është përplasur me një automjet të shërbimit dimëror, më pas ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një pemë. Një nxënës humbi jetën në aksident, ndërsa nuk dihet ende mosha e tij.
Ndërkohë, dy të rritur, përfshirë shoferin e autobusit kanë mbetur të lënduar rëndë nga aksidenti.
Njëmbëdhjetë persona të tjerë, dhjetë prej të cilëve ishin fëmijë, pësuan lëndime të lehta.