Në emisionin “Opinion” po diskutohet në lidhje me aktivitetin e grupeve kriminale në vendin tonë. Gazetari Artan Hoxha thotë se për shkak të portit, Durrësi është qyteti i dytë pas Tiranës, më i rëndësishëm për grupet kriminale.
Hoxha u ndal te marrëdhëniet mes bandave të Durrësit, duke e konsideruar personin e njohur si Mond Çekiçi si trurin e bandës së Shijakut.
Hoxha kujtoi disa ngjarje të rënda kriminale, përfshirë atentatin ndaj Plarent Dervishajt në vitin 2018 dhe vrasjen e shoferit Andi Maloku në 2019 në makinën e prokurorit Arjan Ndoja (sot deputet), si pjesë e përplasjeve mes bandave.
Sipas Hoxhës, Mond Çekiçi (i vrarë më vonë) kishte marrë nën kontroll menaxhimin dhe pastrimin e Portit të Durrësit përmes tenderëve, duke shfaqur një ndikim të fortë të krimit të organizuar në ekonomi dhe infrastrukturë.
“Le t’i referohemi SKY-t, se si operon krimi i organizuar. Kur është hapur SKY, shefja e Interpolit atëherë ka thënë se po arrijmë të shohim një flokëbore nga gjithë maja e ajsbergut. Së pari, kemi një ngjarje që është bërë një atentat në qershor të vitit 2018 ndaj Plarent Dervishajt. Atë ditë kam thënë që në Durrës sapo ka filluar lufta. Herë pas here dëgjohen beteja, dhe Durrësi është qyteti më i rëndësishëm në Shqipëri, pas Tiranës, sepse është porti. Dhe atentati tjetër është në 2019, ku goditet Rrumi në makinën e prokurorit dhe vdes shoferi që s’ka faj, Andi Maloku. Ngjarjet vijuan, betejat mes grupeve u bënë të qarta.
Durrësi është tjetër gjë, është det. Shijaku është kodër. Herë pas here ata bëjnë kompromise dhe i ndajnë zonat e tyre. Dy muaj e një javë më pas vritet E.Ç., ose Mond Çekiçi, i bandës së Durrësit, që kishte zanafillën, ku ata fusin Lulzim Berishën… por M. Çekiçi ishte truri. Çekiçi kishte fituar tenderin dhe kishte menaxhimin dhe pastrimin e portit të Durrësit. U mor nën kontroll porti, qyteti. Këto banda nuk janë aleatë, por në një moment të caktuar atyre u përputhen interesat.“, shtoi Hoxha.
Artan Hoxha pati edhe një dyshim në lidhje me rrjedhjen e informacioneve nga organet e drejtësisë.
“Ajo që më çudit mua në këtë histori është se si nga SPAK-u lindin gjithmonë pyetje se pse këta persona flasin mirë për kryeministrin.”