Zbardhen 2 raste të vjedhjes në farmaci, të kryera në Tiranë, gjatë ditëve të fundit, vihet në pranga autori i dyshuar, i cili prezantohej si punonjës i depove farmaceutike.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, bazuar dhe në inteligjencën informative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Farma”.
Si rezultat i këtij operacioni u vu në pranga shtetasi K. Xh., 34 vjeç, banues në Tiranë.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas ka kryer disa vjedhje, gjatë ditëve të fundit, në disa farmaci në Tiranë, duke u prezantuar si punonjës i depove farmaceutike.
2 prej këtyre vjedhjeve janë dokumentuar me prova ligjore, konkretisht:
– Më datë 21.08.2023 dhe më datë 22.08.2023, ka vjedhur produkte të ndryshme, në dy farmaci, në Tiranë.
Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që janë kryer nga ky shtetas.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.