Dy persona janë arrestuar nga Policia e Korçës pasi po të transportonin ilegalisht 8 emigrant të huaj. Ndërkohë, është shpallur në kërkim një 27-vjeçar.
Policia njofton se të arrestuarit “në aksin rrugor Maliq-Lozhan, me dy automjete tip “Benz”, po transportonin kundrejt fitimit në drejtim të Tiranës, 8 emigrantë të paligjshëm. Gjatë ndjekjes, këta shtetas nuk iu bindën urdhrit të policisë për të ndaluar, por më pas dy prej tyre u kapën e neutralizuan.”
Të arrestuarit janë identifikuar me inicialet K. P., 26 vjeç dhe B. B., 24 vjeç, banues në Tiranë, si edhe u shpall në kërkim shtetasi K. Gj., 27 vjeç, banues në Rëshen.
Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”./Opinion.al