Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, planifikon të udhëtojë në Rusi këtë muaj për të takuar Presidentin Vladimir Putin, i ka thënë një zyrtar amerikan partnerit amerikan të BBC-së, CBS.
Të dy liderët do të diskutojnë mundësinë që Koreja e Veriut t’i sigurojë Moskës armë për të mbështetur luftën e saj në Ukrainë, tha zyrtari.
Vendndodhja e saktë e takimit të planifikuar nuk është e qartë.
Nuk kishte asnjë koment të menjëhershëm mbi raportin, i përcjellë edhe nga media të tjera amerikane, nga Koreja e Veriut apo Rusia.
Burimet i thanë New York Times se Kim kishte shumë gjasa të udhëtonte me tren të blinduar.
Takimi i mundshëm vjen pasi Shtëpia e Bardhë tha se kishte informacione të reja se negociatat për armët midis dy vendeve po “përparonin në mënyrë aktive”.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, tha se ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, ishte përpjekur të bindte Phenianin që t’i shesë municion artilerie Rusisë gjatë një vizite të fundit në Korenë e Veriut.
Armët e ekspozuara në takim përfshinin raketën balistike ndërkontinentale Hwasong, që besohet të jetë ICBM e parë e vendit që përdor lëndë shtytëse të ngurta. Ishte hera e parë që zoti Kim hapi dyert e vendit për mysafirët e huaj që nga pandemia Covid.