Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese ka rrëzuar në mbledhjen e sotme kërkesën e Presidentit Meta për ndryshime në paketën ligjore ‘anti-shpifje’.
Për përfaqësuesit e Partisë Socialiste në Komision sugjerimet e Presidentit nuk ishin të arsyetuara në mënyrë korrekte sipas ligjit.
Këshilltari ligjor i Metës, Bledi Dervishi, theksoi se dispozitat e paketës antishpifje bien në kundërshtim me kushtetutën për të drejtat e lirisë së medias. “Përmes këtij ligji vendosen masat administrative sa i takon mediave elektronike. Pra nëse do të kemi vendime nga AMA, vendimet do të ekzekutohen nga AKEP, me bllokimin e mediave ose gjobvënie”, tha ai.
“Këto dy ligje është e detyrueshme të shqyrtohen bashkërisht. Duke qenë se këto dy ligje janë dërguar në Komisionin e Venecias për marrjen e një opinioni, do të duhej të pritej opinioni. Nuk e kuptoj këtë nxitim”, shtoi ai. “Do të shohim se si do të ecë shqyrtimi i ligjit tjetër dhe nëse qëndrojnë të dyja siç janë, në Gjykatën Kushtetuese”. /Opinion.al