Tensioni në Detin Balltik ka qenë këtë të mërkurë tepër i lartë, pasi një incident ka pasur për protagonistë forcat ruse dhe ato gjermane.
Raportohet se ekuipazhi i një anijeje ruse ka përdorur municione të rezervuara për situata emergjente duke qëlluar në ajër për të paralajmëruar një helikopter ushtarak gjerman.
Agjencia gjermane e lajmeve dpa bëri të ditur lajmin duke cituar një konferencë të ministres së Jashtme Analena Burbock në margjinat e takimit të NATO-s në Bruksel.
Sipas dpa, helikopteri në emër të NATO-s ishte duke kryer një procedurë zbulimi në zonë, në të cilën, siç tha më herët Burbok, ka gjithmonë anije të përfshira në përpjekje për të shmangur sanksionet kundër Rusisë.
Ministrja theksoi gjithashtu se duhet të intensifikohet ruajtja e tubacioneve dhe kabllove të vendosura në Balltik, për shkak të rritjes së sulmeve hibride nga Rusia dhe mbështetësit e saj.
“Mbrojtja e infrastrukturës kritike përmes patrullimeve duhet të zgjerohet”, nënvizoi ajo.
Mirëpo, i pyetur për këtë incident, përfaqësuesi i Ministrisë së Mbrojtjes ka deklaruar pak më parë se nuk është në gjendje të konfirmojë ngjarjen.
Municionet sinjalizuese përdoren për të shtëna paralajmëruese dhe jo për sulm, por ky lloj incidenti është një shenjë se sa afër janë përballur NATO dhe Rusia drejtpërsëdrejti.