Me numrin më të lartë të vdekjeve nga koronavirusi në Evropë, Britania regjistroi 1,035 viktima të reja nga COVID-19 sot, më pak se numri rekord i 1,325 vdekjeve të njoftuara dje, të Premten.
Është raporti i katërt ditor radhazi ku tejkalohen 1,000 viktima nga Covid 19.
Qeveria Britanike raportoi gjithashtu 59,937 raste të reja, nga 68,053 ditë më parë.
Kryetari i Bashkisë së Londrës, Sadiq Khan, theksoi dje se spitalet në Londër mund të kolapsojnë, nëse njerëzit nuk qëndrojnë në shtëpi.
Kujtojmë se vendi po kalon bllokimin e tretë kombëtar, me qytetarët që u kërkohet të qëndrojnë në shtëpi të paktën deri më 15 shkurt. Ndër masat që janë vendosur është edhe mbyllja e shkollave.
Sipas Zyrës Kombëtare të Statistikave Britanike, 2% e popullsisë është e infektuar me virusin, ndërsa mbyllja e shkollave duket se lidhet me një hetim nga Komiteti Kombëtar i Emergjencave i cili – bazuar në të dhënat e tetorit – thotë se hapja e shkollave kontribuoi në transmetimin dhe përshpejtimin e pandemisë. Sipas raportit, transmetimi në moshat 12-16 vjeç është shtatë herë më i lartë se në moshat e tjera. Sidoqoftë, sqarohet se “nuk mund të përcaktohet se ku ndodh transmetimi midis fëmijëve, qoftë në shkollë apo në aktivitete të tjera”./Opinion.al