Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha paraditen e sotme ka vlerësuar figurën e Ilir Alimehmetit, duke theksuar se ai nuk e humbi garën, por e ka cilësuar atë si një luftëtar të shquar të PD.
Sipas Berishës, Alimehmeti tregoi shkallën e lartë të pëlqyeshmërisë që kanë qytetarët për të.
“E vërteta është se nuk e humbi fare. Ai është një luftëtar i shquar i PD dhe tregoi shkallën e lartë të pëlqyeshmërisë që kanë qytetarët për të,” u shpreh Berisha.
Teksa komentoi rezultatet e zgjedhjeve dhe rolin e Alimehmetit, Berisha tha se votat që ai grumbulloi janë dëshmi e kontributit dhe respektit që gëzon brenda dhe jashtë partisë.
“Listat mund të ishin në disa lloje, por fakti që ai mblodhi ato vota dëshmoi se është një veprimtar shumë i respektuar. Unë nuk besoj se vetëm Parlamenti është përfaqësimi i një partie, një parti ka një gamë të gjerë përfaqësimi,” vijoi më tej Berisha.