Presidenti Hashim Thaçi ftoi sot kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti për një takim për caktimin e të mandatuarit për krijimin e qeverisë së re.
Takimi parashikohej të zhvillohej në orën 13:30 por është anuluar nga Kurti.
Në një përgjigje për Klan Kosovën, zyra e Vetëvendosjes për marrëdhënie me publikun thotë se Kurti e ka të pamundur takimin e sotëm me Thaçin pasi gjendet jashtë Prishtinës.
”Pak pas orës 11:00, në selinë e LVV, sot erdhi letra e Presidentit të Kosovës për një takim po ashtu sot në ora 13:30, me Kryetarin e LVV, Albin Kurti. Kryetari Kurti e ka sot të pamundur ta takojë Presidentin, meqenëse ndodhet jashtë Prishtinës. Ai do ta njoftojë së shpejti Presidentin për ditët e orët e mundshme të takimit”.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, i takon kreut të partisë që fiton zgjedhjet të propozojë kryeministrin e qeverisë por mos arritja e një marrëveshjeje mes VV dhe LDK bën që Albin Kurti të mos ketë ende votat në Parlament për tu mandatuar si kryeministër. /Opinion.al