Ish-kryeparlamentarja, Jozefina Topalli, në një dalje për mediat këtë të mërkurë ka komentuar situatën e ish-kryeministrit Berisha me drejtësinë lidhur me çështjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”.
Topalli u shpreh se ky është një sulm ndaj kreut të opozitës, ndërsa theksoi se po sulmohet më i forti për të ngjallur frikë tek të tjerët.
“Po i bëjnë sulm politik kreut të opozitës. Kjo është çështje e opozitës, jo e zotit Berisha. Nuk pranohet lehtë. Ka shumë variante, të gjitha po diskutohen. Në historinë e pluralizmit shqiptar nuk do gjeni një vështirësi kaq të madhe që i bëhet opozitës aq sa PD në Shqipëri. Tentojnë ta blejnë ta asgjësojnë ose t’i godasin kryetarin.
Kjo forcë politike gjithmonë ka gjetur kurajën për t’i qëndruar besimeve të saj. E vërteta është që kur Lulzim Basha donte ta përjashtonte Berishën, dy deputetë dolën në krah të tij, Flamur Noka, dhe Tritan Shehu. Të tjerët erdhën më vonë. Politika mbijeton mbi frikën. Sulmohet më i forti për të ngjallur frikë tek të tjerët.
Situata është shumë e komplikuar, kjo është betejë politike, e vështirë por e rëndësishme. Është e paprecedentë që republika parlamentare të zëvendësohet me republikën e prokurorëve që nuk njohin Kushtetutën e vendit”, u shpreh ajo.