Presidenti Bajram Begaj ka shprehur ngushëllimet për tragjedinë në Ahmedabad, ku një avion me 242 pasagjerë në bord u rrëzua në një zonë të banuar të Indisë.
Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Begaj shkruan se është thellësisht i trishtuar për humbjen e jetëve dhe u shprehu ngushëllimet familjeve të viktimave dhe popullit indian në emër të Shqipërisë.
“Në emër të Shqipërisë i shpreh ngushëllimet më të thella familjeve të viktimave dhe popullit të Indisë. Në këtë moment të vështirë, solidarizohemi me të gjithë të prekurit”, shkroi Begaj.
Avioni i Air India me 242 pasagjerë në bord po udhëtonte për në Londër. Ai u rrëzua menjëherë pas ngritjes nga pista në Ahmedabad. Avioni ra në një zonë të banuar dhe sipas mediave mes viktimave janë edhe qytetarë civilë përveç atyre në bordin e mjetit ajror.