Në verë, turizmi është më shumë sesa disa çadra në rërë. Biznesi i argëtimit zhvendoset drejt bregdetit. Aty luhet me shijet, me trendet e fundit, me festat me shkumë, lojërat ujore sportive, këngëtarët dhe DJ më “in” të momentit. Tek e fundit, ato janë “zot” për pak kohë. Por këtë vit bizneset ankohen se ka rënie. Shtohen klientët e huaj…
Tendencat e argëtimit në verë ndryshojnë kryekëput. Ato janë më të rafinuara, ekzotike, me më shumë adrenalinë. Frekuentuesit e jetës së natës kërkojnë shumë e më shumë dhe menaxherët janë në garë të vazhdueshme për të bërë dallimin dhe për të ofruar atë që është tendenca më e fundit edhe në vendet e tjera, të njohura për këtë kategori. Tani, nuk mjafton vetëm një disko e hapur, e arreduar me stil veror me një DJ që luan muzikë deri në orët e para të mëngjesit.
Turma kërkon adrenalinën që të jetë e gatshme të shpenzojë. Rrjetet sociale, si Instagram, Facebook apo Snapchat janë “dëshmitare” të festave të çmendura që të rinjtë shqiptarë e të huaj bëjnë në bregdet, ku alkooli nuk kursehet, as performancat e këngëtarëve apo DJ më në zë të momentit, të balerinave që më së shumti janë të huaja (më tepër braziliane) apo edhe performueseve me zjarr apo me pajisje elektronike. Gjatë ditës, argëtimi “rrotullohet” te lojërat sportive më sfiduese në ujë. Klubet dhe resortet më në zë ofrojnë për pushuesit, kryesisht ata të rinj, argëtime nga më të ndryshmet, si xhiro me motorë uji, varka, etj. Argëtimi shoqërohet edhe me gatimin më të rafinuar dhe të përshtatur me shijet e konsumatorëve që i frekuentojnë. Këtu, dorështrënguarit nuk kanë vend se pse në fund të fundit, qejfi paguhet. Por, vetë menaxherët e diskove verore (ata që e kanë zhvendosur biznesin e tyre argëtues nga Tirana në bregdet, siç ndodh rëndom në çdo sezon) thonë se tregu shqiptar nuk të lë hapësira të mjaftueshme që të “luash” me gjithçka. Gushti është muaji më i artë ku dhe konsumi është më i lartë. Por, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, frekuentimi ka shënuar rënie, që mund të llogaritet deri në 20%. “Gjatë gushtit, dy javët e para frekuentimi i bizneseve të argëtimit është më i lartë, në javën e tretë fillon trendi rënës. Për ta mbyllur përfundimisht më 15 shtator”, thonë drejtuesit e klubeve verore.
Ata thonë se edhe gjatë qershorit dhe korrikut, frekuentimi i mjediseve të argëtimit nuk ka qenë i lartë.
Një tendencë që ata kanë vënë re dhe që e shprehin me optimizëm është rritja e numrit të të huajve që zgjedhin Shqipërinë, pikërisht për jetën e natës. Ata thonë se më së shumti janë italianë, polakë, çekë e shqiptarë të Kosovës.
Të huajt e shohin bregdetin shqiptar si një vend ku mund të shijohet jeta e natës me kosto disa herë më të ulëta se në vendet e tyre. Mund të pish pa fund, të dëgjosh muzikë të mirë dhe të shijosh plazhe të virgjra që të lënë pa frymë.
Drejtuesit e këtyre bizneseve në Jug të Shqipërisë, thonë se “italianët kanë gjetur atë që në vendin e tyre e gjejnë me çmime disa herë më të larta. Prandaj numri i turistëve italianë ka qenë në rritje”.
Menaxherët e këtyre resorteve, thonë se në Jug, 1 në 3 turistë ka qenë i huaj dhe është një tendencë pozitive që flet për rritje të standardit të turizmit.
Këtu hyn në lojë edhe “marka”. Një pjesë e mirë e klubeve të natës që janë në Tiranë e me reputacion janë zhvendosur në bregdet duke marrë me vete edhe klientët besnikë.
Megjithatë, menaxherët thonë se është vështirë që klientët të jenë 100% të tillë, pasi ata janë gjithnjë në kërkim të diçkaje të re. Për këtë ata ndihmohen jo pak dhe me kosto fare të ulët ose zero nga mediat sociale që shërbejnë si kanalet më të mira të përçimit të mesazheve.
“Sot, të gjithë kanë një smartfon dhe janë gjatë gjithë kohës në kontakt, prandaj edhe bizneset e argëtimit e shfrytëzojnë median sociale si një mjet me kosto të ulët dhe që garanton përhapje të lajmeve”, thonë drejtuesit e agjencive që sigurojnë kontaktet me këngëtarët dhe DJ. Sipas tyre, muzika është padyshim një nga “armët” kryesore në industrinë e argëtimit, por nuk duhet të mbetet e vetmja. Ajo duhet të shoqërohet me investime në arredim, por edhe në teknologjinë e ndriçimit, të audios dhe të efekteve speciale. Sipas tyre, diskot nuk duhet të mjaftohen vetëm në ofrimin e asaj që do turma, pasi në të kundërt rrezikohet përballja me konsum të ulët.
Të bësh diferencën
Biznesi i argëtimit është një nga ato sipërmarrje ku nuk e ke luksin që të rrezikosh. Një gabim i vogël dhe turma të braktis. Nëse shkon deri aty, atëherë duhet të ndryshosh gjithçka. Emrin, imazhin. Të largosh shijen e hidhur dhe të sjellësh diçka të re. Jo pa qëllim ata që merren me këtë industri që vlen padyshim miliona, në Shqipëri janë njerëz me përvojë të gjatë, emra të njohur që e dinë tregun me “sy mbyllur”.
Një nga diskot që për këtë verë ka qenë tepër e frekuentuar nga të rinjtë është padyshim “Folie Marine” në Jal. Menaxheri i këtij resorti thotë se frekuentimi ka qenë i ulët gjatë kësaj vere. “Qershori dhe korriku nuk patën fluksin e parashikuar. Ndërsa që në fillim të javës së tretë të gushtit nisi të ndihej rënia. Në shtator, shifrat kthehen sërish në rënie për shkak edhe të frekuentimit më të ulët”. Drejtuesit e kësaj diskoje thonë se është rritur frekuentimi nga ana e shqiptarëve të Shqipërisë, por edhe nga të huajt që joshen nga kostoja e ulët e argëtimit.
Ndërsa drejtuesi artistik i “Havana Club” në Dhërmi thotë se ecuria ka qenë e kënaqshme, si në korrik ashtu edhe në gusht. Edhe konsumi ka qenë në nivele të larta. Sipas tij, është rritur numri i turistëve të huaj që kanë frekuentuar këto mjedise kryesisht italianë, polakë, gjermanë, austriakë etj.
“E nuk vijnë vetëm për plazhet apo jetën e natës. Të huajt gjatë këtij sezoni janë tërhequr ndjeshëm edhe nga oferta e sporteve të ajrit, si hedhjet me parashutë dhe kërkesa për to ka qenë e lartë. Kjo është bërë për të pasur një portofol më të madh të produkteve turistike”, thotë drejtuesi artistik i “Havana Club”.
Ajo që është kuptuar drejt nga pronarët e ambienteve verore është padyshim fakti se shqiptarët, si mesdhetarë të vërtetë, janë shumë të dhënë pas qejfit. Muzika ritmike josh turmën dhe e nxit të shpenzojë më shumë. Nuk ka rëndësi në është muzikë e mirëfilltë apo janë thjesht këngë komerciale. Mjafton që në skenë të ngjiten këngëtare që pavarësisht cilësisë së zërit të kenë pamje joshëse. Këtë tipar, një pjesë e mirë e këngëtareve shqiptare, e plotësojnë.
Në emër të adrenalinës mund t’i lejosh vetes edhe luks. Tek e fundit çdo spektakël apo shfaqje bëhet në emër të konsumit, të nxitjes së shpenzimeve, që kur je në grupe të mëdha apo nën efektin e pijeve rriten me shpejtësi marramendëse.
Konkurrenca ndihet dhe është gjithmonë sfida për të kërkuar gjetje të reja, me qëllimin e vetëm për të përthithur klientelë. Sa më i veçantë të jesh në llojin tënd, aq më shumë rritet siguria për të pasur klientë besnikë. Shijet janë të shumta dhe mundësitë për t’u dëfryer janë po të tilla. Eksperimentet janë edhe një shans për të testuar klientelën, e cila nëse nuk arrin të kënaqet, do të thotë se përballë është edhe risku për të humbur terren. Drejtuesit e diskove verore mundohen që kur sjellin DJ, këta të fundit të jenë të shoqëruar edhe me vokalistë, për të bërë të mundur që spektakli të jetë i plotë dhe i arrirë. Në çdo performancë sigurohet që shijet të jenë të njëjta me vendet e tjera, që kanë testuar edhe më parë këto përvoja. Këshillohet që të ruhet koherenca dhe të ofrohet muzikë që konsumojnë edhe tregjet e huaja. Megjithatë, sipas drejtuesve të agjencive, industria argëtuese në Shqipëri është larg parametrave që kanë fqinjët tanë, veçanërisht Mali i Zi që njihet për jetën e natës të frekuentuar gjerësisht nga europianët me diskoteka që i kalojnë edhe kapacitetet e 4,000 personave. Në Shqipëri, diskotekat kanë kapacitet mesatar nga 1,000 deri në 1,500 persona.
Performancat live, një magnet i vërtetë
Në mbijetesën dhe suksesin e një biznesi argëtimi vlerësohet i rëndësishëm ofrimi i programeve të shumëllojshme dhe të reja, me qëllim final thithjen e klientëve. Një dukuri që shoqëron këtë biznes është edhe fakti se konkurrenca ka shtuar ofertat ekstreme dhe kjo bën që klienti të mos jetë besnik, por të rendë pas tyre. Një ofertë e tillë nuk është vetëm një pije e lirë apo një mbrëmje me të gjitha pijet falas, por edhe kur bëhet një shpenzim i madh kundrejt një përfitimi zero. Në këtë mënyrë, klientët ndihen të joshur herë nga njëri e herë nga tjetri. Ky është një treg që lëviz çdo ditë. Detyra e menaxherëve të bizneseve të argëtimit është të gjejnë mënyra jo vetëm për të joshur klientë, por edhe për t’u dhënë atyre “adrenalinë”.
Gjatë gjithë kohës, ata janë në kërkim të gjetjeve që duhet të nxisin turmën, të prodhojnë të ardhura dhe të mbulojnë shpenzimet që bëhen për sigurimin e artistëve, që duket se rriten sezon pas sezoni. Performancat live parapëlqehen më shumë nga audienca. Drejtori artistik i “Havana Club”, thotë se performancat në pjesën më të madhe, janë live. Tregu kosovar ka më shumë emra dhe si rrjedhojë, ata dominojnë në numër.
Ndërsa menaxheri i “Folie Marine” në Jal thotë se performancat live kërkohen më shumë nga moshat më të rritura, që janë të lodhur nga ritmet techno të diskove. Ndërsa performancat me DJ preferohen nga më të rinjtë. Edhe konsumi i alkoolit është më i ulët kur zhvillohen performanca me DJ. “Konsumi mesatar i një tavoline është një shishe pije alkoolike. Çmimet nuk kanë ndryshuar me një sezon më parë. Kam dëgjuar shpesh ‘legjenda urbane’ për çmime pijesh që shkojnë deri në 100,000 lekë, por nuk janë të vërteta. Mesatarisht konsumi i një tavoline llogaritet në rreth 11,500 lekë”, thotë drejtuesi i këtij resorti.
Të rinjtë joshen nga strategjitë që këta menaxherë ndjekin.
Një e tillë që do të mbahet mend nga çmimi që qarkulloi në mediat sociale ishte prenotimi i një tavoline (3,000 euro) në një nga klubet e famshme të Durrësit për të dëgjuar Chris Brown, një nga emrat më në zë të muzikës amerikane.
Një tjetër klub, këtë herë në Dhërmi, në fund të korrikut joshi turmën me Mike Diamondz, krijuesin e hitit “La Onda”.
Por, këta janë emra që kushtojnë mijëra euro, që për të korrur sukses duhet të bëhet për vete turma, pasi në fund të fundit ky është biznes.
Agjencitë që merren me sjelljen e këngëtarëve dhe DJ, thonë se tarifat për këto shërbime janë rritur ndjeshëm nga viti në vit.
Këngëtarët shqiptarë paguhen më pak se ata nga Kosova. Ndërsa grupet hyjnë pak në preferencat e diskove verore, e këtu përjashtim bën vetëm legjenda “Elita 5”. Pagesat e tyre llogariten nga 3,000-4,000 euro në natë.
Këngëtarët shqiptarë paguhen mesatarisht 2,000 deri në 5,000 euro në natë për performancat që shpesh janë edhe me “play back”.
Ndër këngëtarët shqiptarë më të preferuar janë: Alban Skënderaj, Flori Mumajesi, Elvana Gjata, Noizy, Enca, etj.
Këngëtarë si Ledri apo Noizy mund të paguhen në natë nga 4,000–5,000 euro. Menaxherët japin edhe shifra që kanë shkuar në 7,000 euro në natë për këngëtarë të caktuar.
Më të mirëpaguar janë këngëtarët nga Kosova, tarifat për të cilët shpesh i kalojnë 4,000 euro në natë.
Ghetto Geasy, Capital T, Agon Amiga, Nora Istrefi, Dafina Zeqiri, Genta Ismaili, etj., janë ndër emrat që pëlqehen më shumë. Për shembull: Dafina Zeqiri paguhet 5,000 euro në natë, ndërsa Capital T rreth 4,000.
Panorama ndryshon kur bëhet fjalë për DJ. Ata paguhen më pak se këngëtarët, por janë më të kërkuar në diskot verore dhe tarifat e tyre në krahasim me një vit më parë kanë shënuar rreth 20% rritje.
Menaxheri i “Folie Marine” në Jal thotë se tendenca vazhdon të jetë muzika komerciale. “Tregu shqiptar ka një natyrë të veçantë dhe të kushtëzon në zgjedhje, por ajo që vihet re është po pëlqehet gjithnjë e më shumë muzika shqiptare dhe DJ shqiptarë. Muzika mbahet gjithnjë në nivele të pranueshme. E kjo padyshim na ka ndihmuar shumë”, thotë menaxheri i “Folie Marine”.
“Luajtësit” shqiptarë të disqeve gjatë këtij sezoni, sikundër tregojnë edhe menaxherët, janë paguar nga 300-700 euro. Shifra rritet nëse performohet jashtë Tirane. Për artistët këto janë para që shkojnë direkt në xhepa, pasi të gjitha shpenzimet e tjera, si akomodimi e ushqimi mbulohen nga drejtuesit e subjekteve. Një tjetër avantazh është edhe mospagimi i taksave, edhe pse për artistët, ligji njeh detyrimin për të paguar tatim mbi fitimin.
DJ me famë botërore, si DJ Tiesto, David Guetta në Shqipëri janë paguar nga 50,000 deri në 70,000 euro në një natë, ndërsa një DJ i huaj i nivelit mesatar paguhet deri në 5,000 euro në natë. DJ shqiptar më i paguar në natë fiton 1,000 deri në 1,500 euro.
Nëse performancës do t’i shtohen edhe balerinat, qofshin të huaja apo shqiptare, kostot janë ekstra. Një balerinë e huaj paguhet deri në 500 euro, ndërsa një shqiptare nga 100-150 euro. Të gjitha këto kanë një emërues të përbashkët: konsumin e alkoolit. Në këto spektakle, shpesh menaxherët përfshijnë edhe mënyra të tjera marketingu e tërheqjeje, si lojëra të ndryshme, performanca me shkumë etj./Monitor/