Një nga ndeshjet më të mëdha në botë ndërmjet Real Madridit dhe Barcelonës, e cila zhvillohet të shtunën, nuk do të anulohet, kurse janë ndërmarrë të gjitha masat e sigurisë për zhvillimin normal të takimit.
Konfirmimin për zhvillimin e takimit e ka dhënë ministri i Brendshëm spanjoll, Jorge Fernandez Diaz përmes një deklarate për Marca.
“Në këto momente nuk jemi duke planifikuar ndonjë anulim të takimit. Kemi rritur sigurinë për arsye të dukshme, por tani nuk ekzistojnë rrethanat për anulimin e takimit. Do të ketë forca të shumta sigurie, jo vetëm para hyrjeve, por edhe përreth stadiumit”, ka thënë Diaz.
Sulmet e fundit në Paris kanë shkaktuar anulimin e shumë ndeshjeve ndërkombëtare, për shkak të rrezikut nga ndonjë sulm i mundshëm terrorist.