Në 27 Dhjetor 2022, emisioni investigativ “Stop” në Tv Klan transmetoi një problem në Kryezi të Kavajës për një çështje prone.
Qerim Tabaku tha, se ka një ullishte 1900 m2, në këtë fshat, por që në vitin 2016 ia ka zaptuar subjekti “Alfa Alabaster Grup” me administratorë Nevruz Cjapi dhe Dëshira Myftari. Këta të fundit merren me nxjerrjen e gipsit aty.
Qerimi tregoi se i janë futur në pronë dhe i kanë shkulur ullinjtë. Ai bëri denoncim në Polici e çështja shkoi në Prokurori. Qerimi ka certifikatë pronësie dhe Gjykata e Rrethit Gjyqsor Kavajë ka vendosur pezullimin e punimeve dhe spostimin 30m të subjektit tjetër nga prona e tij.
Denoncuesi: Kam një ullishte 1 900 metra katrorë me cerifikatë pronësie.
Gazetarja: Ismail Hamdi Tabaku.
Denoncuesi: Babai im. Në vitin 2016, ka ardhur një firmë “Alfa Alabaster Grup” me administrator që quhet Nevruz Cjapi dhe Dëshira Myftari, të cilët pretendojnë se kanë një leje në pronë tonë. Merren me gips.
Gazetarja: A ka ndonjë leje për nxjerrjen e këtij gipsi në pronën tënde?
Denoncuesi: Leje mund të ketë, por jo këtu tek prona ime. Ai thotë nuk e ke këtu. Para 2 vitesh më kanë prerë dhe ullinjtë.
Gazetarja: Si e ndoqe ti këtë rast?
Denoncuesi: Shkova në Polici. Policia thotë se do të bëhen verifikimet. Ai ka leje thotë, kurse ti ke letrat. Leja është marrë nga Ministria e Energjitikës. Këtu del se është dhënë shkurre leja, kurse këtu del se është tokë ullishtë.
Gazetarja: Çështja pas Policisë shkon në Prokurori. Çfarë ka vendosur Prokuroria?
Denoncuesi: Prokuroria kthen letrat prapë në Polici. Verifikon prapë Policia.
Gazetarja: Erdhën ato? Verifikuan prapë?
Denoncuesi: Për verfikime vijnë përherë, sa herë që i thërrasim. Mua më thërrasin poshtë e lartë, kurse firma vazhdon punë.
Gazetarja: Duke qenë se kishte 3 vjet, Polici, Prokurori, Policia vinte vetëm për verifikim dhe mjetet janë po tek toka e Qerimit, ky bëri padi në Gjykatën e Rrethit Gjyqëso Kavajë.
Denoncuesi: E cila vendosi që të pezullojë punimet rreth kësaj prone dhe 30 metra nuk duhet të afrohesh.
Gazetarja: Dhe jeni në Gjykatën e Apelit?
Denoncuesi: Po, por nuk ka filluar seancat gjyqësore deri tani.
Gazetarja: Ndërkohë që ju jeni në proces gjyqësor 2 palët, pra në Gjykatën e Apelit, këtu vazhdojnë punimet.
Denoncuesi: Po. Kam 3 vjet që kërkoj drejtësi.
Njëra nga administratoret e subjektit, Dëshira Myftari tha se bëhet fjalë për një vendim të Shkallës së Parë, ndaj dhe vazhdon punën. Madje ajo pranoi, se nëse do t’i hiqen mjetet, pistoleta shpuese dhe skrepi do të vendosë të reja.
Administratorja Dëshira Myftari: Unë e respektoj atë, derisa të mbarojë gjyqi tjetër.
Gazetarja: Kur je në një process gjyqësor pezullohet çdo gjë, nuk mund të veprosh.
Administratorja Dëshira Myftari: Jo, jo, jo, jo nuk më ka pezulluar njeri e dashur, unë vazhdoj dhe punoj. Përderisa unë atë e kundërshtoj. S’ka dalë vendimi i Apelit dhe në momentin që del, tashi unë kam shkatërruar, unë vete para ligjit në pjesë penale.
Gazetarja: Domethënë ti po më thua mua se derisa të vendosë Gjykata e Apelit, do të ja shkullësh të gjithë rrënjët Qerimit?
Administratorja Dëshira Myftari: Nuk kam ndërmend kundërshtimi ndaj teje sepse ti ndjek vijën tënde, më vjen keq!
Për ankesën e zotit Qerim Tabaku, të cilit i kanë zaptuar pronën për nxjerrjen e gipsit aty, emisioni investigativ “Stop” në Tv Klan njoftoi sallën operative të Kavajës.
Policia Kavajë, salla operative: Është paraqitur ky ankuesi te komisariati jonë dhe po merren oficerët e Policisë Gjyqësore me rastin në fjalë. Janë të dyja palët që kanë konfliktin brenda komisariatit dhe po zgjidhet problemi nga ana jonë. Do vijmë patjetër dhe do të zgjidhet problemi.
Pas komunikimit me sallën operative të Policisë Kavajë, ajo dërgon pas disa minutash OPGJ, Afrim Meçe për verifikim pas 3 vjetësh.
Gazetarja: Ka një vendim gjykate për pezulim punimesh dhe këto janë në process gjyqësor dhe sipas rregullit, në momentin që janë në process gjyqësor, këtu nuk duhet që të vijojnë punimet. Çfarë keni bërë këto 3 vite? Pse duhet të vish sot që ka ardhur Stopi këtu?
Afrim Meçe: Largohuni andej ju.
Gazetarja: Po pse të largohem?
Afrim Meçe: Do të bëjmë veprime. Pse me ne do të rrini ju?
Gazetarja: Ku ke qenë para 3 vjetësh?
Afrim Meçe: Janë referuar materialet në Prokurori.
Më pas gazetarja e “Stop” iu drejtua Policisë Bashkiake të Kavajës që kjo e fundit të njoftojë IMT-në. Drejtori i këtij institucioni, Ylber Nurçe premtoi të marrë masa për heqjen e mjeteve nga prona e Qerim Tabakut.
Drejtori i Policisë Bashkiake, Kavajë: Unë sa të kthehem në zyrë do njihem me materialet, ndonjë ankesë apo vendim gjykate për këtë pjesë dhe do të veprojë menjëherë sipas ligjeve përkatëse, të flasim me drejtoritë përkatëse për të parë dhe mjetet që si ta bëjmë spostimin e këtij skrepi.
“Stop” u kthye sërish në Kryezi, pasi Qerim Tabaku thotë se pasi problemi u ngrit në emision, firma ndërpreu punimet për një muaj. Por më pas nisi sërish, duke prerë gjithë ullishten.
OPGJ Afrim Meçe ka dalë në konkuzionin që Qerimi i ka letrat false, duke dalë kështu mbi Kadastrën, Gjykatën, dhe Bashkinë. Sipas ekspertes Eda Grimçi, në këtë rast jo vetëm firma, por edhe institucionet kanë shkelur ligjin, duke mos zbatuar vendimin e gjykatës.
Qerim Tabaku: Pas 2 muajsh që është transmetuar ky rast, erdhi bashkia, së bashku me policinë dhe OPGJ-ja dhe ndaloi punimet për 1 muaj. Pastaj vazhduan sërish tek prona. Dje më kanë prerë ullinjtë e komplet pronës dhe për këtë disponoj video. Sot, e gjitha ullishtja është e rrafshuar.
Gazetarja: Ironia më e madhe është që OPGJ-ja Afrim Meçe del me konkluzionin që këto dokumente të qytetarit Qerim Tabaku janë fallco.
Qerim Tabaku: Me aq sa di unë, Afrim Meçe është oficer i Policisë së Kavajës.
Gazetarja: A paguan ti taksa për këtë tokë?
Qerim Tabaku: Po, kam 30 vite qëkur kam marrë pronën, unë paguaj taksa çdo vit. I kam paguar tek komuna kur ishte. Tani që varen tek bashkia, i paguaj në bashki. Unë jam pronari sepse unë kam paguar taksa.
“Stop” shkoi t’i kërkojë llogari Policisë Bashkiake për mosekzekutimin e vendimit të gjykatës.
Gazetarja: Nuk keni bërë asgjë. Unë doja që ju të hiqnit këtë skrepin, por ky vazhdon akoma që të jetë po këtu, vazhdon dhe operon. Nuk e keni zbatuar titullin ekzekutiv të gjykatës.
Polici bashkiak: E ka marrë në dorë Policia e Shtetit. Për çdo vendim që e merr gjykata në dorë, bie poshtë bashkia dhe do të veprojë Policia e Shtetit.
Gazetarja: Dhe ju jeni palë./ Tv Klan