Një 34-vjeçare nga Elbasani ka ndërruar jetë disa orë pasi është paraqitur në Maternitet dhe ka kryer një procedurë aborti.
Policia bën me dije se e reja pas abortit u largua në banesë, ndërsa rreth orës 18:00 të ditës së djeshme njoftoi ambulancën për shkak të komplikacioneve shëndetësore. Gruaja u transportua në spital, ku dhe ka humbur jetën.
Ndërkohë bëhet me dije se ka nisur procedimi penal për dy mjekët A. P., 56 vjeç dhe B. Gj., 60 vjeç, për veprën penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”.
Njoftimi i policisë
Më datë 30.01.2023, rreth orës 12:00, një shtetase 34 vjeçe është paraqitur në ambientet e Maternitetit të Elbasanit, ka kryer një procedurë aborti dhe më pas është larguar në banesë.
Rreth orës 18:00 të së njëjtës ditë, dyshohet se për shkak të komplikimeve të gjendjes shëndetësore, kjo shtetase ka njoftuar shërbimet e ambulancës, të cilat e kanë transportuar atë në Maternitetin e Elbasanit, ku kjo shtetase ka humbur jetën.
Për këtë rast, oficerët e Policisë Gjyqësore të Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan kanë iniciuar procedimin penal për shtetasit A. P., 56 vjeç dhe B. Gj., 60 vjeç, mjekë në Maternitetin e Elbasanit, për veprën penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”.
Vijon puna nën drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.