“Putini është i fiksuar pas Kosovës”. Kështu e shprehur kryeministri Albin Kurti, shpreh shqetësimin e tij për vëmendjen që i kushton Rusia Kosovës, gjatë një interviste për median zvicerane “Blick”.
Kreu i qeverisë së Prishtinës e konsideron këtë, por edhe bashkëpunimin e ngushtë mes Serbisë dhe Rusisë, një arsye të madhe që NATO të rrisë prezencën e saj në Kosovë, siç tha ai, për të zvogëluar shanset për konflikte të ardhshme.
“Unë jam i kujdesshëm, por nuk kam frikë kurrë. Unë jam vigjilent. Putini është i fiksuar pas vendit tonë. Ai ishte i kënaqur për mungesën e suksesit të ndërhyrjeve perëndimore në Irak dhe Afganistan. Atë e zemëron dhe e nervozon fakti që kanë pasur sukses në Kosovë,”-tha Kurti.
Kurti foli edhe për përmbylljen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, duke konfirmuar se një marrëveshje mund të arrihet brenda pak muajve, nëse ekziston vullneti nga të dyja palët dhe me mbështetjen e Bashkimit Europian, NATO-s, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe.
“Unë kam shprehur vullnetin tim për ta bërë këtë. Por për një marrëveshje duhen dy palë. Për të pasur paqe afatgjatë, siguri dhe stabilitet rajonal, Serbia duhet të distancohet dy herë: nga e kaluara e Millosheviçit dhe tani nga Putini. Serbia po i afrohet gjithnjë e më shumë Rusisë dhe Putini dëshiron të nxisë konfliktin me Kosovën”,-tha Kurti.
Gjatë intervistës së dhënë për Blick në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Kurti foli edhe rrezikun e një përshkallëzimi të ri të situatës në veri të Kosovës duke konfirmuar se gjendja atje është e qetë dhe përsëriti thirrjen për serbët e Kosovës që të aplikojnë për pozicionet vakante në administratë.