Në mbledhjen e mbajtur këtë të mërkurë në Komisionin e Ekonomisë, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka propozuar 4 ndryshime ligjore për kontrollin e kontratave për koncesionet dhe PPP-të.
Tabaku u shpreh se synimi i ndryshimeve është për të zgjidhur problematikat që hasen në praktikë. Ajo evidentoi 4 pika kryesore që propozon të ndryshohet.
Bëhet fjalë për rritjen e transparencës me publikimin e dokumenteve në Agjencinë e Trajtimit të Koncesioneve/PPP-ve, rritjen e përgjegjësisë personale tek punonjësit e administratës, forcimi i kontrollit të raporteve financiare e deri në rritje e skrupolozitetit të luftës kundër pastrimit të parave.
Konkretisht ja ndryshimet ligjore për të cilat foli deputetja demokrate:
- Rritja e transparencës duke publikuar dokumentet e plota dhe të përhershme në Agjencinë e Trajtimit të Koncesioneve/PPP-ve.
- Rritja e përgjegjësisë personale; çdokush që mban një post publik jo vetëm që duhet të mbajë përgjegjësi personale për veprimet por njëkohësisht edhe duhet të përgjigjet për veprimet dhe mosveprimet. Prandaj amendimet janë menduar për të forcuar edhe më tej përgjegjësinë personale, me parimin e forcimit të refuzimit të individit për të kryer një vepër korruptive. Synimet e amendimeve kanë për qëllim mbrojtjen e kësaj shtrese.
- Forcimi i kontrollit të Raporteve Financiare. Çdo kompanie që kërkon të fitojë një Koncesion Publik duhet të publikojë dhe të vërtetojë se disponon së paku 50% të ardhurave të projektit dhe se burimi i atyre të ardhurave të jetë i ligjshëm.
- Rritje e skrupolozitetit të luftës kundër pastrimit të parave; Shqipëria prej vitit 2019 është futur në listën gri të vendeve që hetohen dhe dyshohen për Pastrimin e Parave. Amendimet tona detyrojnë çdo subjekt tregtar për dorëzimin e një raporti të detajuar të të ardhurave dhe justifikimin e tyre sa herë që subjekti do të pajiset me leje ndërtimi apo çertifikatë përdorimi. Po kështu kemi kërkuar që të sanksionohen detyrimin e autoriteteve publike për verifikimin e dorëzimit të raportit të detajuar financiar si dhe ligjshërine. Burimit të të ardhurave.