Kryeministri Albin Kurti para kabinetit qeveritar tha këtë të mërkurë se autoritetet në Kosovë “nuk do të bisedojnë dhe bashkëpunojnë me kriminelët” në veri, por do t’i “arrestojë ata”.
“Fatkeqësisht këta kriminelë, të sanksionuar edhe nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe, po mbështeten nga presidenti dhe Qeveria e Serbisë me qëllim destabilizimin e rajonit, përveç cenimit të integritetit territorial të republikës sonë”, tha Kurti.
Kurti duket se iu referua nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiç, i cili është nën sanksione nga Uashingtoni dhe Londra.
Kosova i ka dhënë kohë misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, që të veprojë të heqë barrikadat. Por, autoritetet kanë paralajmëruar se nëse KFOR nuk vepron, Policia e Kosovës ka kapacitete për të bërë diçka të tillë.
“Vendosja e barrikadave në rrugë është veprim i paligjshëm, i papranueshëm dhe nuk do të tolerohet. Në përputhje me vlerësimet e sigurisë, ne kemi dhënë kohën dhe hapësirën e nevojshme KFOR-it për të vepruar, por sigurisht që kjo kohë po shteron me shpejtësi”, tha Kurti.
Ai shtoi se parimi i lëvizjes së lirë dhe barrikadat në rrugë “nuk mund të qëndrojnë” së bashku.
Serbët lokalë ngritën barrikadat në shenjë pakënaqësie me arrestimin e ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiç.