Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me ekzekutimin mafioz të dy shqiptarëve, Kreshnik Çerçizaj, 41 vjeç dhe Armando Organaja 44 vjeç të cilët u qëlluan me breshëri plumbash në një lokal në Nea Smyrni të Athinës.
Teksa punonjësit e sigurisë po mbledhin informacione për motivin e autorit dhe profilin e tij, mediat greke gjithashtu shkruajnë se dyshohet se urdhri për vrasjen e dy shqiptarëve mund të ketë ardhur nga brenda burgut.
Duke qenë se Kreshnik Çerçizaj ka qenë i dënuan në burgun e Korydalos, dyshohet se urdhri për ekzekutimin e tij është dhënë nga një shqiptar brenda burgut.
Njëkohësisht, autoritetet vlerësojnë se autori dhe viktima ishin takuar në të kaluarën, ndërsa po hetohet edhe për përfshirjen e një bashkëpunëtori, i cili dyshohet se ka marrë pjesë në sulm.
Besohet se ai ka shkuar më herët në vendin ku ndodhi ngjarja dhe ka dhënë informacione minutë pas minute për lëvizjet e viktimës.
Videoja tronditëse e të shtënave po analizohet sekondë pas sekondës ndërsa priten përgjigje edhe nga kamerat e sigurisë së zonës.