Një 42-vjeçar është arrestuar në aeroportin e Rinasit, pasi tentoi të korruptonte punonjësit e Policisë Kufitare që të kalonte kufirin me mjet identifikimi të falsifikuar.
I arrestuar F. Z., banues në Tiranë akuzohet për “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
42-vjeçari i ka paraqitur fillimisht punonjësve të Policisë, një dokument identifikimi të falsifikuar, dhe më pas iu ka ofruar atyre 100 euro, që ta lejonin të kalonte kufirin, në mënyrë të paligjshme. Gjatë kontrollit të detajuar rezultoi se dokumenti që kishte paraqitur ky shtetas ishte me gjeneralitetet e një shtetasi tjetër.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dokumenti i falsifikuar dhe 2 kartëmonedha të prerjes 50 euro. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.