Presidenti rus Vladimir Putin tha të premten se Moska mund të adoptojë atë që ai e përshkroi si një koncept të Shteteve të Bashkuara për përdorimin e sulmeve frenuese ushtarake, duke vënë në dukje se Rusia i ka armët për ta bërë këtë, në një deklaratë të hapur mes tensioneve në rritje Rusi-NATO lidhur me Ukrainën.
“Ne thjesht po mendojmë për këtë. Ata nuk kishin turp të flisnin hapur për këtë koncept gjatë viteve të fundit”, tha presidenti Putin, duke iu referuar politikës së Shteteve të Bashkuara, ndërsa ai po merrte pjesë në një takim në Kirgistan të një aleance ekonomike të ish-vendeve sovjetike të dominuar nga Moska.
Për vite me radhë, Kremlini ka shprehur shqetësimin në lidhje me përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të zhvilluar të ashtuquajturën aftësi të Sulmit të Shpejt Global me Armë Konvencionale, që parashikon goditjen e objektivave strategjikë të një kundërshtari me armë konvencionale të vetëdrejtuara me saktësi kudo në botë brenda një ore.
“Duke folur për një goditje çarmatosëse, ndoshta ia vlen të mendohet për zbatimin e ideve të zhvilluara nga homologët tanë amerikanë, idetë e tyre për të garantuar sigurinë e tyre”, tha zoti Putin, duke vënë në dukje se një sulm i tillë frenues do të kishte për qëllim të rrëzonte objektet komanduese.
Ai pohoi se Rusia tashmë i ka dislokuar armët hipersonike të afta për të kryer një goditje të tillë, ndërsa Shtetet e Bashkuara ende nuk i kanë dislokuar ato. Ai gjithashtu pohoi se Rusia tani ka raketa me vetëdrejtim që tejkalojnë aftësitë e atyre që zotërojnë Shtetet e Bashkuara.
Ndonëse presidenti Putin dukej se i referohej armëve konvencionale me vetëdrejtim kur foli për imitimin e mundshëm të strategjisë së Shteteve të Bashkuara, ai vuri në dukje në mënyrë specifike se Amerika nuk e ka përjashtuar mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore e para, si mjet frenues.
“Nëse kundërshtari i mundshëm beson se mund të zbatojë teorinë e një sulmi frenues dhe ne nuk e bëjmë, kjo na bën të mendojmë për kërcënimet që paraqesin ide të tilla në pozicionet mbrojtëse të vendeve të tjera”, tha ai.
Në Uashington, këshilltarët e presidentit Joe Biden i panë komentet e Putinit si “kërcënim” dhe një paralajmërim tjetër të mbuluar se ai mund të dislokonte armë bërthamore taktike, tha një zyrtari amerikan që foli në kushte anonimiteti.
Zyrtari vuri në dukje se doktrina ushtarake ruse thotë se Moska rezervon të drejtën për të përdorur e para një armë bërthamore në përgjigje të një agresioni ushtarak në shkallë të gjerë.
John Erath, drejtor i lartë i politikave në Qendrën për Kontrollin dhe Ndalimin e Përhapjes së Armëve, gjithashtu e pa deklaratën e Putinit si një përpjekje tjetër për të ngritur kërcënimin bërthamor.
“Ai nuk thotë se do të lëshojmë armë bërthamore, por ai dëshiron që dialogu në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë të jetë: “Sa më gjatë të vazhdojë kjo luftë, aq më i madh mund të jetë kërcënimi i përdorimit të armëve bërthamore”, tha eksperti John Erat.