Ish-presidenti amerikan Donald Trump ka sulmuar hebrenjtë amerikanë me një postim të diskutueshëm në rrjetet e tij sociale “Truth”. Postimi i tij ka ngjallur reagime dhe është dënuar edhe nga “Anti-Defamation League”.
“Asnjë president nuk ka bërë më shumë për Izraelin sesa unë. Megjithatë, ungjillorët tanë të mrekullueshëm më vlerësojnë shumë më tepër sesa njerëzit e besimit hebre, veçanërisht ata që jetojnë në Shtetet e Bashkuara”, ka sulmuar Trump.
Manjati më pas u kërkoi hebrenjve amerikanë “të qetësoheshin dhe të vlerësonin Izraelin, para se të jetë tepër vonë”.
Për këtë reagim të ish-presidentit Trump u pyet edhe sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre. Sipas saj komentet e ish-presidentit janë antisemitike dhe fyese si për hebrenjtë ashtu edhe për aleatët izraelitë.
“Por le të jemi të qartë, prej vitesh Donald Trump është rreshtuar me ekstremistët dhe figurat antisemite dhe kjo duhet të thuhet. Ne duhet të çrrënjosim antisemitizmin kudo ku ngre kokën e tij. Në lidhje me Izraelin, marrëdhënia jonë është e rrënjosur në vlerat dhe interesat e përbashkëta. Donald Trump nuk e kupton as këtë”, u shpreh ajo, e cila gjithashtu dënoi edhe postimet antisemitike të Ye, por tha se nuk mund të komentonte njoftimin e fundit, se ai synon të blejë faqen e mediave sociale të ekstremit të djathtë, Parler.