Nga Edi Rama
Ideja e një komuniteti të ri politik europian është në fakt një ide e vjetër, e vjetër, ndoshta, sa vetë Europa. Rrënjët e saj intelektuale gjenden në vizionin e një francezi – jo të Emmanuel Macron-it ose, mbase, të Emmanuelit në një mishërim të mëparshëm mistik – një francezit të quajtur Abati i Shën Pjetrit. Në shekullin e 18-të, ky francez doli me idenë e një bashkimi të shteteve europiane, qëllimi i të cilit ishte të garantonte paqe të përhershme.
Ishte koha pas Traktatit të Utrehtit, një pikë kthese në historinë e Europës, pas disa vitesh konflikti të përgjakshëm, që pati shkaktuar humbje të mijëra e duzina jetësh njerëzore dhe shkatërrime të mëdha, por, ndoshta, po aq ndjeshëm, oreksin e sovranëve të tyre për më shumë luftë. Dukshëm, ai ishte një projekt për integrimin europian, i cili identifikoi si rrezikun më të madh për unitetin dhe paqen në Europë, pikërisht, mbizotërimin e egoizmave individuale të vet shteteve. Ai më i vjetri në fakt, mbetet një nga projektet më largpamëse dhe ambicioze të integrimit institucional. Është një mësim, jo vetëm për modelin ambicioz që propozon, por edhe për mënyrën se si dështoi”.
Kështu e kam filluar sot fjalën në sesionin e hapjes të këtij samiti duke vazhduar se,
“Megjithatë, udhëheqësit e mbarë Europës ishin entuziastë për idenë. Frederiku i Madh i Prusisë ishte veçanërisht optimist. “Gjithçka që i mungon për të pasur sukses,” i shkruante ai Volterit, pra Projekti “është konsensusi i të gjithë Europës dhe disa hollësira të vogla të ngjashme”.
Kam vazhduar duke thënë se,
“Janë pikërisht ato “hollësirat e vogla”, që atëherë, që na kanë bërë sot bashkë këtu, më shumë se tre shekuj më pas.
Sigurisht, në rrjedhën e shekujve kemi mësuar së paku të dështojmë më mirë dhe, nga të gjitha përpjekjet e ndryshme të të gjithë paraardhësve tanë europianë për të tejkaluar atë dyshimin e ndërsjellë që ka çuar shpesh në konflikte dhe pastaj në luftë dhe për të krijuar besimin reciprok që çon në paqe dhe prosperitet, Bashkimi Europian mbetet sot e kësaj dite, pa diskutim, më i suksesshmi, më frymëzuesi dhe më konkreti prej projekteve. Bashkimi Europian është për t’u admiruar, jo vetëm sepse solli paqen më kohëgjatë në këtë kontinent dhe krijoi forma të mirëfillta të bashkëpunimit mes vendeve, por edhe sepse, pavarësisht të gjitha pa përsosmërive të tij që sjellin ndasi e gjithmonë e më shumë vorbulla në një territor që është sidoqoftë një territor shpirtëror që e ushqen përkatësinë sidomos të brezave më të rinj, që ndihen europianë përpara se të ndihen gjermanë, francezë, holandezë ose edhe britanikë deri te shqiptarët, që janë, dihet botërisht, më euro optimistët, kështu thonë edhe anketat e Brukselit.
Sot ama Epoka e Qetësisë ka mbaruar, ka filluar Epoka e Rrezikut e cila është zyrtarizuar, duke na përballur me një tjetër emergjencë të përbashkët kaq dramatike. Agresioni rus me pasojat tronditëse politike e ekonomike që vijon të ketë. Sidomos me frikën që ka mbjellë në jetët e vendeve dhe të qytetarëve tanë, na ka sjellë sërish përpara një domosdoshmërisë absolute për të vepruar si një trup, Bashkim Europian dhe Europë. Qytetarëve të Europës nuk iu është dashur të përballen kurrë më parë me kaq shumë sfida të përbashkëta, pavarësisht se ku ata ndodhen, qysh nga Lufta e Dytë Botërore. Dhe prandaj, është shpresa se Komuniteti i ri Politik do të bëhet një platformë e përbashkët, në të cilën do të mendojmë për sfidat e së ardhmes në një mënyrë që na bashkon që i çmon përvojat dhe respekton dinamikat e brendshme të të gjitha shteteve individuale të Europës, por që ndërkohë ndryshon konceptin e asaj çka nënkupton të qenit së bashku në këtë territor pavarësisht se kush është BE dhe kush vetëm E, një bashkëjetesë dhe një veprim kolektiv.
Unë dua të shpresoj se, duke reaguar së bashku në mbrojtje të integritetit territorial të Ukrainës, kemi marrë mësimin se pikërisht kështu do të gjejmë edhe vullnetin për të luftuar jo vetëm kundër mënyrës sesi disa të tjerë i bëjnë gjërat, por edhe për mënyrën sesi ne duhet t’i bëjmë gjërat, si një Komunitet i tërë Politik Europian.
Duke qenë një ithtar i vjetër i kësaj ideje të re që pata nderin të bashkëshkruaj me Mark Rutte në një editorial në mbështetje të idesë, por edhe të hartojmë një propozim të përbashkët shqiptaro-hollandez të shumëvlerësuar në këtë komunitet kam ndarë sot edhe frikën që kam sesi kjo, edhe njëherë, mund të kthehet në diçka shumë të mirë, për të ndodhur vërtet. Druaj se, ndërsa të gjithë përballemi me probleme të përbashkëta, si çmime energjie që shkojnë në stratosferë, ne – europianët e Ballkanit, mund të përjetojmë sërish vetminë e frikshme të ekzistencës në brendësi të kufirit të brendshëm të Europës dhe të përjashtuar nga zgjidhjet e përbashkëta, ashtu siç u lamë jashtë nga plani i shpërndarjes së vaksinave gjatë fazës së parë e më akute të pandemisë. Druaj po ashtu, se të rinjtë më të mirë e më të shkëlqyer që kemi do të vazhdojnë të largohen drejt universiteteve më të mira të BE-së, sepse universitetet tona do të vazhdojnë të lihen jashtë bashkëpunimit të BE-së në arsimin e lartë, Sistemit të Arsimit të Lartë të BE-së. Druaj se përballë realitetit të përbashkët të mungesës së forcës së kualifikuar të punës, për shembull, në fushën e kujdesit shëndetësor, vendimet e egra të tregut do të vazhdojnë të imponohen. Që do të thotë që, vende të varfra të këtij kontinenti si i yni dhe si vendet e rajonit, do të vazhdojnë të financojnë studimet e mjekëve dhe infermierëve që gllabërohen nga vendet më të pasura të kësaj Europe të përbashkët, pa na dhënë asgjë në këmbim, përveç shijes së hidhur që është e njëjta histori që përsëritet e njëjta humbje që vazhdon. Në fund, druaj se ideja e ndarjes së barrës në një hapësirë të re bashkëpunimi mund të qëllojë të kthehet përsëri në një iluzion të dhimbshëm që s’ishte as kjo gjëja e duhur për ne.
Por, thënë të gjitha këto, hapur, troç, përballë, duhet nënvizuar se, duke lënë frikën mënjanë, unë mbetem një mbështetës dhe ne jemi mbështetës të këtij Komunitetit të ri Politik Europian. Sepse Europa gjendet në prag të një lufte të mundshme të Tretë Botërore. Edhe një herë, Europa është aty. Edhe një herë, Europa është në një fazë ku e ardhmja e saj që s’mund të parashikohet, në fakt mund të parashikohet vetëm duke u ndërtuar nga ne.
Beteja për Europën nuk mund të jetë ajo që i takon vetëm për një dore problemesh për t’u zgjidhur, por për një politikë të tërë që është shtysë e një rruge të re bashkëjetese. Ja pse premtimi, joshja, mundësia e një Komuniteti Politik Europian të ri është kaq tërheqës.
Dhe prandaj sot, me shumë pasion por edhe me një krenari të jashtëzakonshme, në emër të Shqipërisë unë i kam thënë këto dhe të tjera, ndërkohë që kam shumë besim se jemi duke përjetuar një tjetër kohë të re të Europës, për një tjetër zhvillim të ri, pa harruar asnjëherë rrugën individuale të integrimit tonë në Bashkimin Europian.