Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano është shkarkuar nga detyra. Lajmi u dha nga ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, i cili njoftoi se vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave.
Çuçi theksoi se kompetencat e tij do t’i marrë nëndrejtori i policisë deri në emërimin e një drejtori të ri.
“Policia e Shtetit dhe drejtuesi kryesor i Policisë së Shtetit kërkon një reagim më të fortë ndaj gjithë këtyre fenomeneve. Këshilli i Ministrave, qeveria, ka menduar që ndryshimi i menaxhimit nëpërmjet shkarkimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë është besoj unë një masë efikase për të pasur një reagim më të fortë të policisë në luftën kundër krimit”, u shpreh ministri Çuçi.
Gledis Nano u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit më Tetor 2021 duke pasuar Ardi Veliun në këtë detyrë.