Presidenti i vendit Ilir Meta ka dalë në mbështetje të avokatëve, të cilët gjatë ditës së sotme kanë protestuar për të kundërshtuar Hartën e re Gjyqësore.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”, Meta shpreh mbështetjen e tij për kërkesat dhe të drejtat e avokatëve si dhe nxit KLGJ-në të dëgjojë zërin e tyre.
Ndër të tjera, ai shkruan se qytetarët presin një drejtësi sa më afër tyre, dhe jo një riorganizim të përqendruar që e largon drejtësinë prej tyre duke e bërë jo vetëm më të shtrenjtë dhe të vonuar, por edhe më të pamundur.
“Mbështes plotësisht kërkesat e drejta të Avokatëve Shqiptarë dhe në mënyrë të përsëritur nxit Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe aktorët e tjerë bashkëpunues dhe vendimmarës, të dëgjojnë zërin e tyre dhe këshillat e Parlamentit Europian. Shqipëria ka nevojë jetike për një sistem drejtësie plotësisht të pavarur, funksional dhe efiçent! Qytetarët presin një drejtësi sa më afër tyre, dhe jo një riorganizim të përqendruar që e largon drejtësinë prej tyre duke e bërë jo vetëm më të shtrenjtë dhe të vonuar, por edhe më të pamundur”, shkruan Meta në “Facebook”.