Të tjera detaje janë zbardhur lidhur me shpërthimin me tritol të makinës ditën e djeshme ku humbi jetën 27-vjeçari Aleksandër Sadikaj.
Sipas “Shqiptarja.com” në vendin e ngjarjes është gjetur dhe një armë zjarri tip pistolet, e cila dyshohet se kishte 27-vjeçari dhe e mbante për vetëmbrojtje.
Për ngjarjen e rëndë, dyshimet e para janë se sasi e tritolit është vendosur nga vrasës me pagesë, por gjithçka është në fazë fillestare hetimi.
Hetuesit po punojnë për gjurmimin përmes kamerave të sigurisë të lëvizjeve që ka kryer viktima me automjetin e tij, për të zbuluar në çfarë vendi është instaluar lënda plasëse.
Tritoli ishte vendosur në pjesën e përparme të makinës, në anën e shoferit, çfarë ka rezultuar fatal për 27-vjeçarin.